E Diel, 1 Nëntor 2026

Valdet Rama dhe Andis Shala: Gati për Kombëtaren kuqezi

Valdet Rama dhe Andis Shala janë shprehur të gatshëm të përfaqësojnë Shqipërinë në aktivitetet ndërkombëtare. Dy futbollistët kosovarë, që cilësohen nga Josip Kuzhe si kandidatë potencialë për një fanellë kuqezi, do t‘i përgjigjen pozitivisht ftesës së trajnerit, nëse ai do të kërkojë shërbimet e tyre. Pasi udhëtoi drejt Gjermanisë për të bindur mbrojtësin e Bokumit, Mërgim Mavraj, që të luajë me përfaqësuesen tonë, kroati konfirmoi se është duke vëzhguar me shumë vëmendje edhe Ramën, i cili aktivizohet në rolin e mesfushorit ofensiv te Hanover në Bundesligën gjermane dhe Shalën, sulmuesit të Dunde Junajtid në kategorinë e parë skoceze.
Madje, fundjavën e kaluar në Gjermani, Kuzhe shfrytëzoi takimin me Mavrajn (ky i fundit ka theksuar se do të luajë me Shqipërinë), për të biseduar kokë më kokë edhe me Valdet Ramën. Ish-sulmuesi i Volfsburgut luajti 25 minuta si zëvendësues në sfidën Hanover-Bokum, të cilën tekniku 57-vjeçar e ndoqi nga tribuna e "AËD Arena". "Jam takuar me trajnerin Kuzhe, biseda e zhvilluar ishte shumë miqësore. Drejtuesi i stolit të Shqipërisë shfaqi interes që unë të luaj me Kombëtaren dhe jam shumë i lumtur për këtë fakt", tha 22-vjeçari i lindur në Mitrovicë për kosovaren "Express". Më tej, ai u shpreh i gatshëm të vishet kuqezi, duke theksuar se do të jepte maksimumin. "Kam ëndërruar të luaj për Shqipërinë. Nëse Kuzhe më grumbullon në skuadër, atëherë do të jap 100 për qind për fanellën kuqezi", shtoi ai. Në të kaluarën, Rama ishte vëzhguar edhe nga ish-trajneri i përfaqësueses, Oto Bariç, por afrimi i lojtarit nuk u realizua. Ndërkohë, Andis Rama është në fazën e vëzhgimit. Trajneri ende nuk është takuar për të biseduar me sulmuesin e Dundes, por kjo pritet të ndodhë brenda një kohe të shkurtër, duke qenë se përgatitjet për eliminatoret e Euro 2012 kanë filluar. Ish-lojtari i skuadrës gjermane VfR Manhajm, tha se po pret me padurim ftesën e Josip Kuzhe, e cila do të ishte realizimi i një ëndrre. "Kam dëgjuar që Kuzhe është duke më vëzhguar. Besoj se me angazhimin tim do ta bind trajnerin që të më afrojë në Kombëtare. Shpresoj shumë që ftesa të vijë, jam krenar që të luaj për kombin tim", deklaroi Shala.
Nëse Rama dhe Shala vishen kuqezi, atëherë numri i kosovarëve në Kombëtaren shqiptare pritet të rritet në nëntë. Aktualisht me ngjyrat kuqezi luajnë Cana, Curri, Dallku, Beqaj, Ujkani e Berisha, ndërsa shumë shpejt atyre pritet t‘u shtohet edhe Mavraj. Në të kaluarën, me skuadrën janë aktivizuar edhe Besnik Hasi, i cili tani ka filluar karrierën e trajnerit dhe punon si asistent tek Anderlehti, Mehmet Dragusha, Bekim Kastrati e Blerim Rrustemi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›