E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda me 7 hajdutë, anëtare një vajzë

 

KAVAJE - Policia e Kavajës ka arrestuar 7 anëtarë të një grupi hajdutësh, të cilët kishin realizuar vjedhje banesa, lokalesh, dyqanesh, makinash në 5 qytete të vendit. Sipas policisë shtatë personat mes tyre edhe një vajzë 20-vjeçare, dyshohet se kanë kryer një sërë vjedhjesh në Rrogozhinë, Golem, Durrës, Kavajë dhe Vlorë, duke lëvizur në grup me motorë, nga Vlora në drejtim të Kavajës. Pas regjistrimit të disa denoncimeve për vjedhje nga qytetarë të ndryshëm, policia nisi menjëherë hetimet duke dyshuar se ato ishin vjedhur nga një grup personash që vepronin në bashkëpunim. Hetimet zgjatën rreth 2 muaj dhe mbrëmjen e së mërkurës, teksa policia ishte vënë në ndjekje të tyre, ata u arrestuan në flagrancë, duke vjedhur naftë në makineritë e firmës "Salillari" sh.p.k, në Kavajë. Sipas një njoftimi për shtyp nga policia e kryeqytetit mësohet se operacioni i koduar "Lëvizje e shpejtë", mundi të arrestojë vëllezërit Lulzim dhe Elvis Kalaja, 32 dhe 24 vjeç, Jodjan Shametajn, 19 vjeç, Gramos Shehajn, 18 vjeç, Ilirjan Mukajn, 30 vjeç, Vllasi Furrxhin, 20 vjeç dhe Beslinda Lilen, 20 vjeçe. Në cilësinë e provave materiale, policia mundi të sekuestronte dhjetëra aksesorë të vjedhur nëpër lokale e banesa, pjesë makinash të vjedhura, të çmontuara etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›