E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëna denoncon zhdukjen e vajzës: Do ma trafikojnë

 

Etleva Delia

Nëna e një vajze nga Petrela e Tiranës, denoncoi në polici dje se e bija e saj 19-vjeçare është rrëmbyer nga dy persona të paidentifikuar. Familjarët e vajzës dyshojnë se adoleshentja mund të jetë pre e një skenari trafikimi. Ngjarja është denoncuar mesditën e djeshme në Komisariatin nr.1 të policisë së kryeqytetit nga nëna e adoleshentes. Dylbere Ismaili, 56 vjeçe, është njoftuar nga shoqet e të bijës, të cilët i kanë thënë se dy persona e kishin futur vajzën me forcë në makinë dhe ishin larguar. Pas kësaj nëna e vajzës i është drejtuar policisë duke kërkuar ndihmë. Ajo ka denoncuar rrëmbimin e vajzës së saj, Mirela Ismaili, 19 vjeçe, me frikën se rrëmbyesit do e trafikonin për qëllime përfitimi. Policia është vënë menjëherë në lëvizje për zbulimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Me hetimin e ngjarjes aktualisht po merret seksioni i Antitrafiqeve të Tiranës. Oficerët e këtij seksioni kanë shoqëruar për të marrë në pyetje, në cilësinë e dëshmitareve, dy shoqet e Mirela Ismailit, të cilat kanë qenë bashkë me vajzën kur ajo pretendohet se është rrëmbyer nga dy persona.
Hetimet për rrëmbimin
Dy vajzat që ndodheshin me adoleshenten në kohën kur pretendohet se ka ndodhur rrëmbimi, janë marrë dje në pyetje për disa orë rresht. Ato janë mbajtur në ambientet e Komisariatit Nr.1 në Tiranë, pasi dyshohet se kanë dijeni për rrethana mbi rrëmbimin e 19-vjeçares Mirela Ismaili. Burime nga policia thanë se dy shoqet e adoleshentes mund të japin të dhëna mbi autorët e krimit. Ato kanë në shoqërinë e vajzës në momentin kur ajo dyshohet se është marrë me forcë dhe është futur në makinë nga dy persona, por besohet se në cilësinë e dëshmitareve kanë dijeni edhe mbi fakte të tjera. Policia tha se deri në orët e mbrëmjes, vajzat dëshmitare nuk kanë mundur të përshkruajnë autorët. Madje ato nuk kanë arritur të japin as detaje mbi makinën që pretendohet të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes. Vetë vajzat ishin të parat që lajmëruan familjen e 19-vjeçares duke u thënë të afërmve se të tria kishin qenë duke shëtitur në Petrelë, kur dy persona rrëmbyen Mirela Ismailin. Policia tha se pasi ka marrë deklarimet e mikeshave të vajzës, i kanë lënë të lira për t'i shoqëruar sërish në cilësinë e dëshmitareve në varësi të ecurisë së hetimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›