Avokati i Minxollit shtyn gjyqin e "Gërdecit"
TIRANE - Gjykata e Tiranës shtyu edhe për një javë shprehjen e vendimit të saj në lidhje me kërkesat paraprake të palëve në procesin gjyqësor në ngarkim të 29 personave të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit. Shkak i shtyrjes u bë ndërprerja e seancës së djeshme, pasi disa nga avokatët mbrojtës të të pandehurve nuk ishin prezentë. Gjithashtu në sallë nuk ishte prezent edhe një prej të pandehurve që mbrohet pa avokat. Gjykata tentoi të manovrojë, duke zëvendësuar avokatët e munguar me disa prej avokatëve që ishin në sallë, por mungesa e avokatit të të pandehurit Dritan Minxollit, që kishte paraqitur një raport mjekësor para togave të zeza çoi në ndërprerje të seancës. Në seancën e djeshme në ngarkim të personave të akuzuar për shpërthimin e marsit 2008 në Gërdec, ku u vranë 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë pritej të dëgjohej vendimi i gjykatës, në lidhje me kërkesat paraprake të palëve. Në seancat e mëparshme avokatët kërkuan pavlefshmëri të disa akteve dosjes, përfshi edhe aktet e vendimit të dërgimit të dosjes për gjykim, si dhe kërkesën për gjykim. Akuza kërkoi rrëzimin e kërkesave të mbrojtjes. ar.ba