E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Del Ponte e bëri kryeministër Thaçin’

Deklaratat e fundit të kryeministrit Hashim Thaçi për partitë opozitare kanë nxitur jo pak reagime edhe te këto të fundit. Kreu i ekzekutivit në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, ka komentuar në një mënyrë të veçantë veprimet e tri partive opozitare LDK, VV dhe AAK.

Për LDK-në ka thënë se është parti dështake, për Vetëvendosjen rrugaçe, ndërsa për AAK-në humbëse. Lideri i LDK-së Isa Mustafa ka reaguar ndaj këtyre deklaratave duke thënë se modeli i qeverisjes qendrore të Hashim Thaçit është diktaturë dhe se ai po e krijon një shtet policor.

Por nuk ka munguar as reagimi i AAK-së.Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie Burim Ramadani, gjatë një prononcimi për portalin Indeksonline, ka thënë se Thaçi duhet t’i falënderohet Carla Del Pontes, pasi sipas tij ajo e ka bërë kryeministër.

"Hashim Thaçi le ta falënderoj përjetë Carla Del Ponten, sepse ajo i ka mundësuar Thaçit që të behet kryeministër. Kur z. Haradinaj është akuzuar nga Tribunali i Hages, ai ka qene Kryeministër i Kosovës dhe edhe sot mbahet mend 100 ditëshi i tij tejet intensiv. Po të kishte mundësi që Ramush Haradinaj ta çonte deri në fund mandatin e tij të kryeministrit, Hashim Thaçi nuk do të kishte asnjë shans për t'u bërë kryeministër. Deri në vitin 2007, sigurisht Thaçi do te ishte larguar nga skena politike dhe tash do të ishte harruar si politikan. Sidoqoftë, një sjellje e tillë e Thaçit në pozitën e kryeministrit te Kosovës ndaj Ramush Haradinajt, i cili ndodhet në situatë të ndjeshme, tregon për mungesë elementare të ndjenjës njerëzore të Thaçit", ka thënë Ramadani. (indeksonline)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›