E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Forca’ kërkon largimin e Kryesisë

Nga Express më 16 maj 2011 në ora 12:48

Grupi i tifozëve ‘Forca’ sërish kanë shprehur pakënaqësinë ndaj udhëheqësve të skuadrës së Kosovës së Vushtrrisë. Dështimi për t’u rikthyer në Superligë i ka zhgënjyer shumë këta tifozë, të cilët kërkojnë largimin e menjëhershëm të të gjithë anëtarëve të Kryesisë nga ekipi bardhekaltër.

Tifozët vushtrrias edhe më parë kanë protestuar duke kërkuar largimin e kryetarit të klubit, Agron Selmanit, me arsyetimin se nuk i kanë përmbushur premtimet që i kishin dhënë për ta çuar përpara klubin bardhekaltër.

Por tani, kjo tifozeri kërkon largimin edhe të anëtarëve të tjerë që kanë mbetur në kryesi të klubit, për të ardhur në vend të saj njerëz që e çojnë përpara klubin vushtrrias.

“‘Forca’ kërkon largimin e menjëhershëm të Kryesisë së KF Kosova si dhe fton organet komunale që urgjentisht të marrin masa për përmirësimin e gjendjes në klub, sepse nga dita në ditë, gjendja vazhdon të përkeqësohet”, thuhet në një komunikatë të ‘Forcës’, të postuar në uebfaqen zyrtare të tyre.
Në këtë kumtesë, ‘Forca’ shpreh frikën se Kosova (V) mund të shkojë drejt humnerës.

“Kriza e thellë financiare, largimi i lojtarëve kyçë, dorëzimi i hershëm në luftë për t’u rikthyer në Superligën e Kosovë, na shtynë ne si tifozë që të reagojmë fuqishëm dhe të marrim masa që sa më shpejt të ndodhin ndryshme për të mirën e klubit, përndryshe, nëse vazhdon kjo gjendje, klubi rrezikon të shuhet”, thuhet në fund të kësaj kumtese.

Pas 23 ndeshjeve të zhvilluara, Kosova (V) gjendet në vendin e tetë të tabelës në Ligën e parë me 32 pikë të tubuara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›