Swansea kujton Idrizajn
Swansea City do të mundohet ta sigurojë një vend në Premierligë, duke u ‘përkrahur’ nga ‘lojtari’ i 12-të, Besian Idrizaj. I tërë qyteti do ta kujtojë të hënën ish-sulmuesin kosovar, i cili ndërroi jetë një vit më parë.
Në ‘Liberty Stadium’, në ndeshje me Nottingham Forest, e vlefshme për gjysmëfinalen e play-offit, do të kujtohet Idrizaj, i cili ndërroi jetë teksa po flinte në shtëpinë e tij në Austri, pas një sulmi në zemër, në moshën 22-vjeçare.
Tifozët pritet të vendosin mbishkrime dhe parulla të shumta në shenjë kujtimi për ish-futbollistin e Liverpoolit. Swansea e nisi këtë sezon në Championship në memorie të futbollistit të ri kosovar.
Tash ky ekip synon një sukses të jashtëzakonshëm – inkuadrimin në Premierligë. Portieri Dorus de Vries insiston se te Swansea nuk do të harrohet kurrë shoku dhe ish-kolegu Idrizaj. Holandezi thotë se shpirti i ish-futbollistit kosovar është ende me Swansin, teksa ata po mundohen që të inkuadrohen në elitën e futbollit gjerman në nderim të tij.
“Shumë nga ne flasim ende për të. Ai është ende në mendjet tona. Ai ishte një koleg i shkëlqyer, bashkëlojtar i mirë, por gjithashtu ishte shok i mirë, kështu që nuk është e lehtë ta harrosh. Ne si grup vendosëm që ky vit të jetë për të dhe shpresojmë që po e bëjmë atë të mburret me këtë sezon”, tha Vries për uebfaqen walesonline.co.uk.
“Nganjëherë, ai është këtu në mendjet tona, me ne, dhe nganjëherë pas lojës themi: Hej, kjo fitore është për ty. Fatkeqësisht, ai nuk është këtu tash që t’i shijojë këto momente me ne. Ai e kishte kualitetin të ishte pjesë e jona, por ai është këtu në mendjet tona dhe do të ishte një gjë e madhe që të ngritemi në Premierligë për të”, vazhdoi ai.
Swansea u bashkua si klub në nderim të Idrizajt, në kampanjën Liberty kundër Prestonit në muajin gusht. Gjithashtu, skuadra U21 e Austrisë e pushoi numrin që e mbante i ndjeri, ndërsa një minutë heshtje u mbajt për nder të tij në fillim të këtij sezoni.
“Përgjigja e fansave ishte e jashtëzakonshme. Ta shohësh fanellën e tij duke qëndruar në duar të tifozëve ishte diçka emocionuese, ishte diçka speciale që ndodh rrallë. Ajo ishte dita e tij. Jam i sigurt se ai ishte përreth nesh atë ditë dhe që ishte i nderuar. Jam i sigurt se ai është krenar për atë që e bëmë ne deri tash”, shtoi Vries.
Ky i fundit tregon se si i ndjeri Idrizaj ishte mjaft i përkushtuar në stërvitje dhe se të gjithë prisnin që ky do të ishte sezoni i karrierës për të. Vries thotë se nuk do ta harrojë kurrë momentin kur e kuptoi se Besian Idrizaj kishte ndërruar jetë. Holandezi ishte i pari nga lojtarët që e mori lajmin e zi për vdekjen e shokut të tij, nga e dashura e Besianit, Joni.
Vdekja e papritur e Idrizajt ishte humbje e madhe për Swansean, për Liverpoolin dhe për të gjitha ish-skuadrat e tij. Por, më së rëndi e ka pësuar shoku i tij i skuadrës dhe bashkëkombësi Shefki Kuqi, të cilin ky lajm e kishte dërrmuar.
Tash, Swansea e ka mundësinë që ta bëjë krenar ish-lojtarin e vet duke u inkuadruar në Premierligë. Edhe nëse kjo nuk ndodh, 30-vjeçari Vries është i bindur se Idrizaj është i nderuar me sezonin e ish-skuadrës së tij.
“Do të ishte një gjë e madhe po të inkuadroheshim në Premierligë në kujtim të tij. Mendoj se familja e tij është e nderuar me mbështetjen që iu bë nga fansat dhe nga klubi. Ne do ta kujtojmë gjithmonë Besianin, çfarëdo që të ndodhë”, përfundoi portieri holandez.