‘Lira’, kolumniste e Evropianit

Futbollistja shqiptare Fatmire Bajramaj, përveç në fushën e blertë, po vlerësohet edhe jashtë saj. Gazeta gjermane ‘Rheinische Post’ e ka rezervuar ‘Lirën’ që të shkruajë kolumne në kampionatit evropian ‘Euro 2012’, që do të mbahet nga 8 qershori deri më 1 korrik në Poloni dhe Ukrainë.
Përfaqësuesja gjermane do ta ketë nderin të shkruajë në gazetën ku në të kaluarën kanë analizuar ndeshje edhe lojtarë të njohur si Schweinsteiger, Lahm etj. ‘Lira’ deri më tash ka zhvilluar 57 ndeshje për Kombëtaren gjermane, me të cilën ka fituar një titull botëror dhe një evropian.
Ndërsa, në Olimpiadën e vitit 2008 në Pekin, ajo me bardhezinjtë e kishte fituar medaljen e bronztë. Në vitin 2011, ajo ishte zgjedhur futbollistja e vitit në Gjermani.
Bajramaj kishte shkuar në Gjermani me familjen e saj nga Kosova, kur ishte vetëm 5 vjeçare. Pjesën më të madhe të fëmijërisë e ka kaluar në Monchengladbach.