‘Muri’ në Ballkan Film Festival

‘Muri’ në kuptimin ideor flet për muret njerëzore dhe ndërnjerëzore në kuptimin fizik e mendor. Ngjarja zhvillohet në një fshat vendor, aty ku muret e oborreve janë të larta dhe në një moment kur duhet tejkaluar ato, shfaqen pengesa në kuptimin fizik. Pra, në fokus të filmit janë muret, dhe pasojat që vijnë nga to në rrethana të një lufte, siç ishte kjo e fundit.
Fillimisht skenari pati fituar në konkursin e festivalit “9/11”. Pastaj, çmimet e tjera në Zvicër e vend, kanë bërë që ky film të vlerësohet si gjetje origjinale për rrethanat dhe kohën në të cilën po jetojmë. Çmimi i fundit është ai ‘Faruk Begolli’ në kuadër të festivalit ‘Shqip Film Fest’.
“Edhe festivali i Pogradecit është një hapësirë tejet interesante për të shprehur lirinë artistike në kuptimin praktik”, tha skenaristi i filmit “Muri”, Naser Shatrolli. Ai më tej shtoi se aty takohet kryesisht kultura ballkanike, vende të rajonit të cilat përveç se shfaqin filmat e tyre shtrojnë dhe ushqimet tradicionale nga vendet prej nga vijnë. Në ditë e enjte kur do të shfaqet “Muri” do të shtrohet darkë kosovare me specialitete kosovare.