E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugëtimi i Kuqit

Shefki Kuqi pati rrugëtime të shumta në jetë, duke ndërruar 13 ekipe në karrierë. Mirëpo, ai nuk do ta harrojë kurrë rrugëtimin e parë, atë më të vështirin, kur familja e tij ishte shpërngulur nga Kosova në vitin 1989. Nga ajo kohë, sulmuesi kosovar filloi të merrej me futboll. Tash, 34-vjeçari është pranë përfundimit të një karriere të lavdishme. Nga Express më 21 shkurt 2011 në ora 12:18

Kur Shefki Kuqi zbriti në fushë për Newcastlen, të shtunën e kaluar, ai bëri debutimin në klubin e 13-të në karrierë. Ky është definicioni i një rrugëtimi të nisur në vitin 1989, kur sulmuesi shtatlartë ishte 12 vjeç.

Ai ishte rritur në një fshat të vogël, afër Vushtrrisë, ku shumica e popullsisë punonin në një fabrikë për përpunimin e metalit. Në fshat ishin vetëm 10 shtëpi serbe, pesë prej tyre afër shtëpisë së Kuqit, e pesë të tjera më larg.

“Ne e fillonim shkollën si gjashtë vjeç e gjysmë. Klasat ndërmjet kosovarëve dhe serbëve ishin të ndara, edhe pse me një objekt. Nga mosha 10-vjeçare, fëmijët kosovarë duhej ta mësonin gjuhën serbe. Një herë ose dy në javë shkonim në shkollë më herët, për të luajtur futboll me serbët, ku gjithmonë krijohej një turmë”, rrëfen Kuqi për të përditshmen britanike, The Guardian.

Sulmuesi kosovar tregon se në atë kohë vërehej diferenca ndërmjet lojtarëve për shkak të etnisë, por se ndeshjet ishin miqësore. Nëse një ekip kishte një lojtar më pak, kosovarët do të luanin për serbët dhe anasjelltas.

Kuqi shpjegon se edhe kur serbët kishin ndeja në shtëpitë e tyre, kosovarët iu dërgonin torte. Mirëpo, vazhdon ai, me kalimin e kohës, marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe kosovarëve u tensionuan.

“Babai im kishte një shok të mirë, i cili banonte afër dhe kishte ardhur koha kur bashkëshortja e tij kishte ardhur te ne duke thënë se gjërat nuk po shkonin mirë. Babai im i kishte ndihmuar disa serbë që të ndërtonin shtëpi. Ata buzëqeshnin kur e shihnin atë duke e vozitur kampionin rreth qytetit. Mirëpo, dalëngadalë, buzëqeshja e tyre u zhduk”, shton Kuqi.

Kah fundi i vitit 1988, raportohej se në Kosovë po vriten njerëzit, shtëpitë po digjeshin dhe njerëzit po vriteshin. Njerëzit i humbën punët e tyre dhe presidenti jugosllav, Slobodan Milosevic filloi të bënte zhurmë, duke kërkuar që të shndërrohej një vend dhe të flitej vetëm një gjuhë.

Vetëm pak kohë më pas, vëllai i Shefkiut, kishte mbushur 16 vjeç dhe ishte ftuar që ta kryente shërbimin ushtarak. “Në Kosovë kishte filluar të shfaqej frika. Familja ime vendosi që të largohej. Unë e dija se diçka nuk po shkonte, sepse babai dhe daja im, por edhe disa njerëz të tjerë, u takuan dhe biseduan për disa gjëra. E dija se diçka serioze po ndodhte, kur daja im, Qerkin Osmani, u largua nga vendi”, kujton 34-vjeçari.

Babai i tij ishte larguar dhe më pas e kishte ftuar edhe familjen e tij. Shefkiu e kishte kuptuar se ata po shkonin në Finlandë. Për këtë vend, Kuqi nuk kishte dëgjuar asnjëherë më parë. Atij i dukej se po shkonte në anën tjetër të planetit.

Në një natë të ftohtë dimri dhe me borë, në orën 21 të së enjtes, familja Kuqi kishte marrë rrugën e kurbetit. Çdokush në atë momente ndihej keq dhe qante, ishte si të shkonin në funeral. Kuqi e kishte të vështirë ta besonte se po linte gjithçka prapa, jo vetëm shtëpinë. Ata nuk dinin se kë ta përshëndetnin më parë. Ata tentonin të flinin, por nuk mundnin.

Rrugëtimi filloi duke u stacionuar së pari në Mitrovicë, e më pas me tren në Beograd, ku babai i tij u kishte thënë që të mos flisnin shqip, sepse do të kuptohej se nga cili vend vijnë. Kuqi ishte befasuar me qytetin e Beogradit, i cili i dukej shumë i madh. Pastaj, me lot në sy, familja Kuqi, bashkë me të tjerët, zbarkuan në Gdansk të Polonisë. Edhe pse pa qytete të mëdha, prapëseprapë ai preferonte jetën e fshatit.

“Pas shumë mundimeve, ne mbërrimë me anije në Finlandë. Në anije ishte e pamundur të flinim, pasi mendonim për familjen, nëse do t’i shihnim më ndonjëherë, duke menduar se çka po ndodhte atje. Ne e takuam babanë pas tri javësh. Ishte hera e parë që nuk u pamë me të pas një kohe të gjatë, pasi nuk na kishte ndodhur një gjë e tillë më parë”, thotë Kuqi, i cili nuk e dinte se cila ishte e ardhmja e tij dhe e familjes së tij.

Familja Kuqi mbërriti në Finlandë, por nuk kuptonte as finlandisht, e as anglisht. Ata u vendosën në një korridor, në karrige të forta plastike, pas kontrollit të pasaportave. Familja e tij ishte e para që migroi drejt Finlandës.

Familja Kuqi priti 2-3 orë dhe frikësohej se mos do të kthehej prapa, nga finlandezët. “Ne njihnim njerëz që i kishin kthyer nga Suedia. Pastaj arriti një përkthyer kosovar, i cili punonte aty. Pas disa orësh, ata na dërguan jashtë, duke na vendosur në një hotel. Ishim të gjithë në të njëjtën dhomë. Ata na blenë bukë me djathë, për të ngrënë. Ishte hera e parë që kishim parë bukë të zezë, kështu që nuk na merrte mendja se duhej ngrënë ajo”, shton Kuqi.

Të nesërmen, familja Kuqi ishte dërguar në stacionin policor. Avokati i babait të Shefkiut kishte udhëtuar për t’i takuar ata. Nëna e Shefkiut i kishte shpjeguar atij se dëshironin të qëndronin në Finlandë, duke ia dhënë edhe arsyet.

Pastaj, kjo familje ishte dërguar në një kamp, afër Helsinkit, pasi nuk e dinin se ku qëndron babai i tyre. Dhoma ku u vendosën ata ishte më komode se hoteli, por familja Kuqi frikësohej se nuk do ta takonte kurrë më kryefamiljarin.

Pas një jave, ata e kuptuan se ai ishte në një kamp në Mikkeli, kështu që kërkuan që të transferoheshin atje.

Atje u vendosën në një kamp tjetër, me të cilin ishin mjaft të kënaqur, pasi në atë vend mbaheshin aktivitete për fëmijët, kishte fusha futbolli, pishina dhe fusha basketbolli.

“Atje e takuam babanë, ishte një ndjenjë fantastike, çdokush po buzëqeshte. Ishim të gjithë së bashku më në fund, kështu që e dinim se çfarëdo që do të ndodhte, do ta kishim fatin e njëjtë”, shton Kuqi.

Familja Kuqi mori azil dhe Shefkiu iu bashkua ekipit të të rinjve të klubit Ka-Pa51. Karriera e tij lulëzoi, pasi iu bashkua ekipeve Carlton Palmer në Stockport, para se të lëvizte në Sheffield Wednesday. Natyrisht, kjo lëvizje nuk e kishte intensitetin e lëvizjes së tij të parë, nga Kosova.

Transferimi në Newcastles si 34 vjeç është një mundësi për mbamendje, në një përfundim të një karriere të lavdishme. Mirëpo, rrugët më të vështira të udhëtimeve të tij do të mbesin gjithmonë ato të parat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›