E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Birrë, gozhdë dhe sapun” në TKK

Nga Express më 24 janar 2011 në ora 10:00

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës sot (e hënë) do të jepet shfaqja mysafire nga Shkodra, e teatrit “Migjeni”, “Birrë, gozhdë dhe sapun”.

Teksti, regjia, skenografia është punuar nga Stefan Çapaliku, ndërkaq në rolet kryesore paraqiten: Frederik Fistani, Agron Dizdari, Enver Hyseni, Rita Gjeka, Jozef Shiroka, Simon Shkreli, Brikena Sinanaj, Besmir Halitaj, Arbion Rexhepi.

Ngjarjet zhvillohen në një qytezë të ndërtuar në kohën e komunizmit në Shqipëri afër një miniere boksidesh, që rri e mbyllur që prej 20 vitesh. Ndërrimi i sistemit politik e ka nxjerrë minierën jorentabël në pikëpamje ekonomike.

Një pjesë e madhe e njerëzve të mbetur mbas mbylljes së saj kanë emigruar jashtë shteti. Një pjesë e vogël ka mbetur aty, të papunë dhe të pashpresë. Veprimi dramatik nis dhe mbaron brenda katit të parë të një shtëpie buzë rrugës nacionale, që shërben si klub, dyqan dhe pikë takimesh për të mbeturit e qytezës.

Ngjarjet zhvillohen brenda 24 orësh. Ardhja e një të huaji në qytezë zgjon vëmendjen e të gjithëve. Historia merr një kthesë të fortë kur e zonja e shtëpisë dhe pronarja e klubit (një lloj Mirandoline) bie në dashuri me të huajin.

Mirëpo dashuria e tyre zbulohet shpejt prej banorëve të tjerë të qytezës, njeri prej të cilëve e vret të huajin, e bashkë me të edhe ëndrrat e të tjerëve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›