E Shtunë, 31 Tetor 2026

“DnV” numëron një varg parregullsish

Nga Express më 09 janar 2011 në ora 18:44

Drejtues të rrjetit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” kanë ngritur shqetësimin në lidhje, siç u shprehën ata, numrin e madh të parregullsive të raportuara nga vëzhguesit në terren, por thanë se është ende herët të vlerësohet nëse procesi zgjedhor është i rregullt.

Në një konferencë për media të dielën, Dritan Selmanaj, ka bërë të ditur përqindjen e daljes së qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhje deri në ora 16.00 nëpër komuna, sipas të cilave në komunën e Skenderajt 50.22 për qind, Drenas 42.27 për qind, Deçan 27.51 për qind, në një qendër votimi në Lipjan 46.43 për qind dhe po ashtu në një qendër votimi në Malishevë kanë votuar 29.28 për qind.

Selmanaj ka përmendur edhe një varg parregullsive të regjistruara nga vëzhguesit e Demokracisë në Veprim në procesin e sotëm të rivotimit në pesë komuna, të cilët kanë përmendur si problem votimin familjar, ndërprerjen e energjisë elektrike, votimin e dyfishtë dhe probleme të tjera.

“Skenderaj, Polac i Ri, në qendrën e votimit 2000-07b02r një person ka asistuar për 40 persona. Skenderaj Klinë e Epërme, në qendrën e votimit 2000-06b03r një persona ka asistuar dhjetë raste. Po ashtu janë evidentuar edhe disa raste të votimeve të dyfishta. Llaushë Skenderaj 2001-5b04r janë evidentuar katër raste që është votuar më shumë se një herë”, ka thënë Selmanaj.

Sipas vëzhguesve të DnV-së gjatë procesit të votimit ka edhe ndërprerje të energjisë elektrike dhe se në disa vendvotime procesi zgjedhor është duke vazhduar edhe me qirinj dhe me përdorimin e llambave të dorës të policisë së Kosovës.

“Ka filluar të paraqitet edhe një problem, ai i mungesës së energjisë elektrike. Në Negrovc dhe Llapushnik të Drenasit është ndaluar energjia elektrike dhe për pasojë është ndërprerë procesi i votimit në Negrovc, ndërsa në Llapushnik përkundër ndërprerjes së energjisë elektrike për 45 minuta ka vazhduar procesi i votimit në vendvotimin 03178-01r me intensitet edhe më të shtuar”, ka thënë ai.

Probleme me energji elektrike sipas “DnV”-së ka edhe në Prekazin e Epërm ku për më shumë se një orë nuk ka energji elektrike dhe procesi i votimit po vazhdon me qirinj.

Selmanaj ka vlerësuar se është ende herët të konkludohet nëse procesi zgjedhor është i rregullt, pasi sipas tij kësaj radhe ka më tepër parregullsi të raportuara nga vëzhguesit në terren krahasuar me zgjedhjet e 12 dhjetorit. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›