“EU Observer”: Gazsjellësi Trans-Adriatik, më i rëndësishëm se Nabucco
Shqipërisë duket se po i buzëqesh fati në planin energjetik. Kjo pasi projekti madhor Trans-Adriatik i transportimit të gazit natyror, nga Deti Kaspik në Evropë, duke kaluar nga Shqipëria, është projekti më i mbështetur nga dy projektet e tjera që konkurrojnë, Nabucco dhe IGI.
Nga të dhënat më të fundit, duket se është pikërisht realizimi i Trans-Adriatikut ajo që do të dali nga marrëveshja e transitit, midis autoriteteve të Azerbajxhanit dhe Turqisë, me konsorciumin Shah Deniz.
Ky konsorcium ka analizuar të gjitha detajet teknike dhe tregtare të tri projekteve. Nga të gjitha analizat, është projekti Trans-Adriatik që kalon nga Shqipëria që fiton.
Projekti Trans-Adriatik, i njohur ndryshe si TAP, që vjen nga Deti Kaspik përmes Turqisë, Greqisë dhe pastaj kalon në Jugu të Shqipërisë deri në Itali, do të furnizojë me gaz natyror Ballkanin, Mesdheun dhe Evropën Qendrore.
Është kjo rruga më e shkurtër, më pak e kushtueshme dhe më praktike për të transportuar gazin natyral nga Kaspiku në Evropë, por edhe firmat që e mbështesin atë janë konsorciume të fuqishme.
Në të përditshmen “EUobserver” thuhet, se edhe në rastin e konceptimit të korridorit jugor energjetik si shumëfazor, faza e parë duhet të jetë aprovimi i i menjëhershëm i TAP për të sjellë gazin natyror në Evropë dhe për të shtuar burimet e gazit për konsumatorët evropianë.