E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ghandi” i Turqisë sfidon Erdoganin

Kryetari i ri dhe mjaft i popullarizuar i partisë sekulare të qendrës së majtë, Kemal Kilicdaroglu, i cili është pagëzuar më nofkën “Ghandi”, për shkak të ngjashmërisë së tij fizike me udhëheqësin e Indisë, ka deklaruar se AKP-ja e kryeministrit Erdogan po e shndërron Turqinë në perandori të frikës. Kilicdaroglu dhe Erdogan do të përballen të dielën në zgjedhjet e përgjithshme. Nga Express më 10 qershor 2011 në ora 11:30

E kryesuar nga kryetari i saj i ri dhe mjaft i popullarizuar, partia kryesore opozitare në Turqi ka nisur një fushatë të fuqishme, për të sfiduar në zgjedhjet e së dielës partinë me rrënjë islamike në pushtet, duke e shtyrë përpara agjendën e reformave demokratike dhe të drejtësisë sociale.

Partia sekulare e qendrës së majtë, Partia Popullore Republikane (CHP), megjithatë pritet të rreshtohet në e dyta, por popullariteti në rritje i partisë, mund t’ia mohojë partisë në pushtet, AKP-së, sigurimin e shumicës absolute në zgjedhjet e treta me radhë.

Shumë gjatë e akuzuar për militantizëm sekular dhe për simpatinë e shprehur për ushtrinë, CHP është ri-përqendruar në ndryshimet demokratike dhe drejtësinë sociale, duke tentuar që të joshë si të varfrit konservatorë, ashtu edhe liberal, të cilët po frikësohen se pushteti nëntëvjeçar i AKP-së po bëhet gjithnjë e më autoritar.

Hulumtuesit e opinionit theksojnë se gjasat janë të mira që CHP të fitojë rreth 30 për qind të votave, për dallim nga 20.8 për qind, sa kishte fituar në vitin 2007, me një parti tjetër nacionaliste dhe kandidatët e tjerë të pavarur, të mbështetur nga kurdët, të cilët pritet që të hyjnë gjithashtu në parlament.

Një epilog i këtillë do të lë AKP-në pa shumicën prej dy të tretave, e cila do t’i nevojitet për të ndryshuar vetëm kushtetutën, edhe pse pritet që kjo parti të shënojë një fitore bindëse, me rreth 45 për qind të votave, falë ekonomisë që po lulëzon dhe përmirësimit të shërbimeve publike.

Disa dyshojnë se premtimet e guximshme të AKP-së për një kushtetutë më liberale, fshehin synimin për të hapur shtegun për sistemin presidencial, i cili favorizohet nga kryeministri Recep Tayyib Erdogan-i cili me gjasë është edhe vetë i interesuar që ta ushtrojë këtë funksion.

Dikur forcë motorike e reformave të kërkuara nga BE-ja, Erdogan është bërë gjithnjë e më jo-tolerant ndaj kritikave: i prirë të besoj se prapa çdo kritike fshehën konspiracione, ai në vazhdimësi sulmon mediet dhe urdhëron policinë që të ndërhyjë për të shpërndarë protestat në rrugë.

Me dhjetëra gazetarë në burg, opozita gjithashtu është e alarmuar për shkak të censurimit gjithnjë e më të madh të internetit dhe reduktimit të shitjes së pijeve alkoolike.
Për kryetarin e ri të CHP-së, Kemal Kilicdaroglu, AKP-ja po e transformon Turqinë në një “perandori të frikës” dhe në shtet policor.

“Erdogani mendon se është sulltan. Le ta tundim së bashku”, tha Kilicdaroglu para ca kohësh në një tubim para ithtarëve të tij.

CHP ka premtuar reforma demokratike, të cilat reduktojnë edhe më tej kompetencat e ushtrisë tashmë të dëmtuar dhe të cilat parashohin zgjerimin e të drejtave për kurdët.
Kurdët e kanë mirëpritur ngrohtë Kilicdaroglun, gjatë tubimeve të tij në juglindjen e Turqisë të dërrmuar nga konflikti, pjesë këto të cilat CHP as që është munduar që t’i vizitojë në të kaluarën.

Partia ka premtuar se do të përmbushë disa kërkesa kryesore të kurdëve, siç janë kërkesat për një autonimi më të madhe për administratat lokale, mësimin në gjuhën kurde nëpër shkolla dhe reduktimin e pragut zgjedhor prej 10 për qind, i cili për një kohë të gjatë ka pamundësuar përfaqësimin e kurdëve në parlament.

Me qëllim që të shkëputet nga imazhi i saj si një parti elitiste, e ndarë nga populli, CHP ka ofruar gjithashtu një pako të përfitimeve sociale dhe ekonomike për të varfrit, duke nxitur edhe më shumë akuzat për korrupsion në radhët e AKP-së.

Letra kryesore e Kilicdaroglus është reforma e “sigurimit familjar”-pagesa mujore prej rreth 380 euro për më të varfrit.

Ristrukturimi dramatik i CHP-së filloi vitin e kaluar, kur Kilicdaroglu u zgjodh kryetar, për të zëvendësuar veteranin Deniz Baykal, i cili dha dorëheqje pas publikimit në internet të xhirimeve, në të cilat ai shihej duke u angazhuar në marrëdhënie jashtëmartesore seksuale.

Kilicardoglu 62 vjet fitoi popullaritet, pasi që njihet si luftëtar kundër korrupsionit, i cili ka detyruar dy zyrtarë të lartë të AKP-së që të japin dorëheqje, për shkak të dyshimit të përfshirjes së tyre në korrupsion.

I pagëzuar me nofkën “Ghandi”, për shkak të ngjashmërisë së tij fizike me udhëheqësin e Indisë, Kilicdaroglu ka shërbyer si kryetar i agjencisë për siguri sociale të Turqisë, para se të bëhej anëtar i parlamentit në vitin 2002. (AFP)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›