Bastisje për armë në Skenderaj
Stacioni policor Skenderaj ka realizuar një urdhër kontroll për bastisjen e një shtëpie private në fshatin Lubavec të Skenderajt.
Bastisja është realizuar rreth orës 06:00min, në kërkim të provave ose arsyeve të tjera në lidhshmëri me informatat e mbledhura operative për mundësi të gjetjes së armëve të paautorizuara.
Me urdhëresë të lëshuar nga gjykata e qarkut në Mitrovicë, Policia e Kosovës, e udhëhequr nga hetuesit policor dhe të mbështetur nga njësitë speciale operative të rajonit të Mitrovicës, ka realizuar bastisjen dhe kontrollin e shtëpisë private të një 49-vjeçari.
Gjatë kontrollit të shtëpisë, Policia e Kosovës ka arritur që të gjejë elemente dhe prova të mjaftueshme për të cilat edhe është iniciuar bastisja, me ç’rast janë sekuestruar; një armë automatike “AK-47”, një karikator me 29 fishek, tre karikator të zbrazët, 24 fishek të kalibrit, këllëf të revoles dhe katër granata dore.
Mjetet e identifikuara janë regjistruar në listën e provave materiale ndërsa në vend ngjarje janë ftuar edhe ekspertët për trajtim të mjeteve shpërthyese të KFOR-it dhe FSK-ës, të cilët në të sigurt kanë marrë mjetet shpërthyese, granatat e dorës.
Operacioni i kontrollit policor të shtëpisë ka përfunduar pa ndonjë incident të shënuar ndërsa dy persona të dyshuar, një 49 vjeçar dhe një tjetër 26 vjeçar, janë shoqëruar në stacionin policor.
Prokurori publik i prokurorisë së qarkut në Mitrovicë, është informuar lidhur me veprimet e ndërmarra policore në rastin e bastisjes ndërsa rasti fillimisht ishte iniciuar si vepër penale “mbajtje ne pronësi, kontroll dhe shfrytëzim të paautorizuar të armëve” të paraparë në bazë të kodit penal të Kosovës.
Ndaj të dyshuarit 49-vjeçar, është caktuar masa e ndalimit policor ndërsa i dyshuari i dytë, është liruar nga lokalet policore pas deklaratës së dhënë në polici, njofton policia e rajonit të Mitrovicës, nëpërmes një komunikate shtypi.