E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rock simfonia

Pa e dëgjuar të performojë i shoqëruar nga orkestra simfonike, gabojnë ata që mendojnë se e njohin mirë Stingun dhe këngët e tij. Kjo është krejt diçka tjetër. Magjepsëse. Nga Imer Mushkolaj më 10 qershor 2011 në ora 12:00

Nuk është fort e kollajshme të mrekullohesh nga një këngëtar. Nga muzika e tij. Nga performanca e tij.

Por, të tillë u ndien më shumë se 10 mijë njerëz, adhurues të Stingut, i cili të mërkurën mbrëma performoi në Beograd.

Në kuadër të turneut “Symphonicity”, këngëtari britanik solli para publikut në “Arena” hitet e tij më të mëdha, të përshtatura për orkestër simfonike.

Gjithçka nisi me këngën “Every Little Thing She Does Is Magic“. 45 muzikantë të orkestrës Camerata Serbica, nën dirigjimin e Sarah Hicks, e shoqëruan Stingun për më shumë se dy orë, teksa këndoi 30 këngë - thuaja se të gjitha i shoqëruar nga publiku.
Sarah Hicks, sipas gazetës The New York Times, bën pjesë në gjeneratën e re të dirigjenteve të suksesshme, por Sting shoqërohej edhe nga muzikantë të tjerë, bashkëpunëtorë të tij shumëvjeçarë, si kitaristi Dominic Miller.

Në një atmosferë mjaft intime, në gjysmerrësirë, këngët e Sting u shfaqën me tjetër “ngjyrë”. “If I Ever Lose My Faith In You”, ”Englishman In New York”, “Roxane”, ”Mad About You”, ”When We Dance”, ”Fields Of Gold”, “Russians” tingëllonin shkëlqyeshëm në përcjellje të orkestrës.

Sting e kishte përgatitur koncertin në dy pjesë, me nga 60 minuta. Pjesa e dytë ia nisi me ”Shape Of My Heart“, për të vazhduar me hite të tjera, si ”Moon Over Bourbon Street“.
Megjithatë, këngëtari nuk rezistoi dot pa iu kthyer “rrënjëve” rock’n’roll. Në këngën “Next To You”, ai luajti edhe kitarë.

Koncerti “zyrtarisht” përfundoi me hitin e madh “Every Breath You Take”, me ç’rast gjithë “Arena” u ngrit në këmbë. Por, ovacionet nga publiku e kthyen Stingun edhe tri herë të tjera në skenë. E pashmangshme ishte kënga “Desert Rose”, e cila u këndua e gjitha nga Sting, ndonëse në origjinal përcillet edhe nga algjeriani Ahmed Khelifati Mohamed, i njohur si Cheb Mami.

Vazhduan “She’s Too Good For Me”, ”Fragile” dhe “Message In A Bottle”, me të cilën përfundoi gjithçka.

Të gjitha këngët ish përshtatur për mrekulli me aranzhmanet e reja për orkestër, ndërkaq “Russians“ dhe “Moon Over Bourbon Street“ të krijonin përshtypjen se ishin vepra klasike të muzikës.

Gjatë qëndrimit në Beograd, Sting ishte mysafir në një shou program televiziv. Aty deklaroi se e ka një “problem” - djali i vogël i tij dëshiron të bëhet polic.

59-vjeçari Sting, emri i vërtetë i të cilit është Gordon Matthew Thomas Sumner, ishte lider i rock bendit The Police, me të cilët para disa vjetësh u rikthye në turne.

Me të mbërritur në kryeqytetin serb, të mërkurën në mesditë, ai mbajti provën gjenerale të koncertit, ndërkaq të enjten udhëtoi për Lubjanë, për të performuar sonte para sllovenëve. Mediat serbe e cilësuan koncertin si një ndër më të mirët të mbajtur ndonjëherë në Beograd, e gjatë performimit Sting u përkujdes të bëjë përpjekje që disa fjalë t’i thotë edhe në serbisht, siç e do rendi.

Një “ish-polic”, padyshim, e di rendin.

Këtë e dëshmoi edhe kësaj here.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›