E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mbikëqyrësi” nën hetime

Bajram Zogiani, anëtar i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës (KPM), është duke u hetuar. Dyshohet se në kohën sa ishte anëtar i Panelit për Lirim me Kusht, familjeve të burgosurve u ka marrë ryshfet për lirimin e tyre. Ai e pranon se po hetohet, por thotë se gjykata nuk ka marrë ende vendim. KPM është organi më i lartë dhe i vetmi, në të cilin shërbyesit civilë mund të ankohen. Nga Nexhmije Ahmeti më 21 mars 2011 në ora 10:03

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës është organi i vetëm, të cilit shërbyesit civilë mund t’i drejtohen për t’u ankuar, nëse ndaj tyre bëhet ndonjë shkelje. Por në këtë këshill, ka njerëz që punojnë edhe pse janë duke u hetuar si të dyshuar për keqpërdorim të vendit të punës, si dhe marrje të mitos. Në këtë rast, Bajram Zogiani, anëtar i KPM-së, është duke u hetuar për marrje dhe dhënie të mitos, si dhe keqpërdorim të vendit të punës.

Burime nga Prokuroria Komunale e Prishtinës bëjnë të ditur se ky person dyshohet se gjatë periudhës 2006-2010 derisa punonte në Panelin për Lirim me Kusht në Ministrinë e Drejtësisë, ka pranuar ryshfet duke liruar kështu persona të burgosur pa plotësimin e kritereve për lirimin me kusht. Por edhe përkundër faktit se Zogiani ishte arrestuar dhe ishte mbajtur në paraburgim për 48 orë, ai vazhdon të punojë pa problem si anëtar i KPM-së.

Zogiani tha për Express se hetimet ndaj tij janë duke u bërë për kohën sa ishte anëtar i Panelit për Lirim me Kusht dhe posti i tij aktual që mban nuk ka kurrfarë lidhjeje me atë punë. “Jam nën hetime nga gjykata. Lënda është iniciuar ndaj meje, por unë vazhdoj të punoj këtu. Gjykata është ajo që vendos nëse unë jam fajtor apo jo”, tha Zogiani.

Ai mohon të ketë bërë shkelje të ligjit, pavarësisht se është duke u hetuar për tri vepra penale; shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit, marrje dhe dhënie e mitos. Në fakt, Prokuroria e Qarkut në Prishtinë në janar të këtij viti, kishte dhënë urdhër për fillimin e hetimeve për tre persona në mesin e tyre edhe Zogiani. Në bazë të hetimeve dyshohet se Bajram Zogiani, së bashku me vëllanë e tij, Burim Zogianin dhe një person tjetër, kanë ndërmjetësuar në lirimin e të burgosurve me kusht, pa i plotësuar kriteret që kërkohen për lirimin e tyre.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›