“Muret” mes konflikteve etnike
“Në Mitrovicë po xhirojmë filmin dokumentar që sjellë rrëfimet nga vendet e ndryshme të botës, që kanë të bëjnë me konfliktet etnike mes individëve, grupeve, popujve dhe civilizimeve. Krejt kjo nëpërmjet metaforës dhe paradigmës. Megjithëse filmi flet edhe për shpresën në mundësinë e një jetese në paqe”, thotë producentja e filmit, Elena Drivo.
Sipas saj, filmi ‘Muret” është një rrëfim në tre episode, të cilin e rrëfejnë njerëzit në tri lokacione të largëta dhe të ndryshme në çdo aspekt: kufiri ndërmjet Arizonës dhe Meksikos, qyteti i ndarë i Mitrovicës, dhe Via Padova – një rrugë kjo multietnike në Milano.
“Filmi është një mozaik, i bërë nga aktivitetet e përditshme jetësore të njerëzve që dëshirojnë të jetojnë në një ambient të qetë dhe të sigurt, megjithëse këtë ua pamundësojnë muret dhe kufijtë, herë të dukshëm e herë të padukshëm. Kur bëhet fjalë për episodin që po e bëjmë aktualisht, rrëfimet bazohen në jetën e përditshme të pjesës veriore- serbe dhe të asaj jugore-shqiptare (të Mitrovicës), ku konflikti etnik është ‘një mur i padukshëm’, i shfaqur në formë të kufirit natyror – lumit Ibër dhe urës mbi të”, sqaron Drivo, derisa nënvizon se para ardhjes në Mitrovicë ekipi ishte shumë skeptikë, sepse iu tërhiqej vërejtja se ky është një qytet i rrezikshëm, dhe se njerëzit nuk do të bashkëpunonin me ta.
“E para gjë që ju befason është tabloja diametralisht e kundërt nga ajo që aktualisht plasohet nga mediat. Jam e mrekulluar nga afërsia dhe entuziazmi i njerëzve, që vërtet imponohet nga traditat dhe kultura e tyre. Është e dhimbshme që kjo rini as e talentuar s’ka mundësi të shfaq dhe përmbushë nevojat e saj socio-kulturore. Paramendoni, një qytet pa kinema, pa teatër pa salla sportive... Po punojmë shumë, por edhe po shoqërohemi. Me vete do të marrë shumë kujtime, por edhe dy miqësi, që cilat mendoj se do të zgjasin gjatë”, përfundon Derivo.