E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Muzeu i Pafajësisë” në shqip

Shtëpia botuese Skanderbeg Books ka nxjerrë në shitje romanin më të ri të autorit turk, Orhan Pamuk, të titulluar “Muzeu i Pafajësisë”. Nga Express më 09 qershor 2011 në ora 13:29

Vepra voluminoze është shkruar dhe botuar dy vjet pas marrjes së çmimit “Nobel” nga ana e Pamukut. “Muzeu i Pafajësisë” është një histori magjepsëse dashurie, me një shtrirje të gjatë në kohë dhe me një densitet të lartë emocional.

Ky libër s’është krahasuar kot me peshën dhe forcën shënjuese të “Lolitës”, të “Madam Bovarisë” dhe “Ana Kareninës”. Në qendër të romanit është djaloshi i ri dhe i pasur, Kemali, i cili në zenit të lumturisë së tij - i rrethuar nga mirëqenia, jeta aristokrate, dashuria dhe klasa e gruas me të cilën do të fejohet - prej një takimi të rastësishëm me një vajzë të re e të bukur (një kushërirë kjo e tij e largët, që tashmë është rritur dhe punon si shitëse) do të hyjë në një spirale ndjenje e pasioni të verbër, të një robërimi shpirtëror e fizik, që do të jenë qerthulli i tetë viteve të ardhshme të tij.

E gjithë bota e Kemalit përmbyset dhe djaloshi - shumë i përngjashëm me Pamukun e ri – fillon të ecë mes përpjekjesh, vuajtjesh dhe ëndërrimesh, nëpër të cilat e shpie “verbëria” e dashurisë së tij të parrokshme, që e lëkundet mes shpresës dhe ëndërrimit...

Ndryshe, romani iu dedikohet “pafajësive” të mëdha të turkut të fundshekullit të kaluar dhe të sotëm, derisa lëkundet mes civilizimit evropian dhe traditës orientale.

Në vjeshtë të këtij viti pritet të shqipërohet edhe romani “Libri i Zi”, e pas tij edhe “Xhevdet Beu dhe të Bijtë”, i cili edhe do të përmbyllë botimin e veprës së plotë të Orhan Pamuk në shqip. Shqip

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›