Tregimet e dhimbshme
Edhe pse lufta e Kosovës ishte një prej këtyre ngjarjeve, ajo edhe sot ka mbetur e patreguar. Me mijëra gra provuan dhunë fizike dhe psikologjike që vështirë përshkruhet me fjalë.
E shfaqja “Lugina e Vuajtjeve të Saj” ka për protagoniste pikërisht ato - femrat e luftës. Shfaqja e realizuar me regji të Zana Hoxha Krasniqit, do të shfaqet më 13 qershor në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar. Udhëtimi i trupës kosovare drejt Tiranës është pjesë e turit ballkanik që ka nisur me Kosovën, vazhdon me Shqipërinë dhe Shkupin (më 15 qershor), dhe përfundon në Mal të Zi.
Në shfaqje prezantohen rrëfimet e grave dhe vajzave nga Kosova, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina që gjatë luftërave dhe konflikteve u përdhunuan nga forcat e armatosura. Rrëfimet janë të vërteta. Ato i rrëfejnë krimet, dashurinë, dhimbjet, miqësinë në kohërat e vështira dhe forcën për të vazhduar jetën. Shfaqja është menduar të jetë një ballafaqim me të kaluarën e afërt, një rinjohje me të tashmen dhe një shpresë për falje në të ardhmen.
Regjisorja kosovare, Zana Hoxha Krasniqi, ka angazhuar disa aktore të reja në shfaqje, si Anisa Ismajlin, Egzona Ademin, Dardana Mehmetin, ndërkaq për muzikën përkujdeset Rona Nishliu. Shfaqja bazohet në rrëfimet e paraqitura në librat “Ana Femërore e Luftës” dhe “Histori të Tmerrit 1998 - 1999”, nga Sanije Gashi.
Përndryshe, premiera e kësaj shfaqjeje paraprakisht do të jepet në Teatrin Dodona, në Prishtinë, më 10 qershor.