Julian Assange “ngujohet” në ambasadë

Julian Assange beson se do t’i duhet të jetojë brenda ambasadës së Ekuadorit për 6 deri në 12 muaj, para se autoritetet suedeze të rrëzojnë akuzat kundër tij dhe të heqin dorë nga kërkesa për ekstradim. Themeluesi i Wikileaks kërkoi strehim politik në ambasadën e Ekuadorit, pasi po lufton në Britaninë e Madhe kundër kërkesës së Suedisë për ekstradim.
Në një intervistë të publikuar në Ekuador, Assange tha se sipas mendimit të tij, kjo situatë që vijon prej vitesh ka shumë gjasa që do të mbyllet me rrëzimin e akuzave ndaj tij. Por Sekretari i Jashtëm i Britanisë, William Hague, tha se aktualisht “nuk shihet asnjë zgjidhje” për situatën e krijuar.
Një ish-pirat kompjuterësh, Assange publikoi në faqen e vet Wikileaks një pafundësi dokumentesh të klasifikuara si sekrete dhe që krijuan trazira në shumë vende të botës.
Goditja më e madhe erdhi vitin e kaluar, kur u publikuan një numër i madh telegramesh sekrete të diplomatëve amerikanë.
Britanikët kanë deklaruar se do ta arrestojnë Assangenë, në rast se ai del nga ambasada.