Vritet një 33 vjeçar në Vushtrri
Vedat Hasani, 33 vjeçar, ka vdekur si pasojë e plagëve të marra nga një armë gjuetie të shtunën, në fshatin Ceceli të Vushtrrisë.
Viktima është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes, ndërkaq një 19 vjeçar është shoqëruar në stacionin policor si i dyshimtë për rastin. Ndaj tij është caktuar masa e ndalimit, me vendim të prokurorit publik, me qëllim zhvillimin e hetimeve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Policia po e heton rastin, nën rrethana të mundshme aksidentale.
Në bazë në hetimeve preliminare të rastit besohet se i dyshuari kishte shkrepur aksidentalisht armën e gjahut, ndërsa kishte goditur viktimën prapa në shpinë.
Besohet se viktima dhe i dyshuari, në marrëdhënie të afërta familjare, kishin dalë në gjah në një zonë malore të fshatit Ceceli. I dyshuari, i cili po mbante armën e gjahut duke ecur prapa viktimës, në një moment ka shkrepur armën aksidentalisht, duke e goditur viktimën.
Arma e gjuetisë, dytytëshe, vertikale, e prodhimit turko-belg, e cila besohet të ketë qenë e përfshirë në rast, është sekuestruar nga policia si pjesë e provave materiale. Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.