PDK kërkon edhe postin e Presidentit?
Disa anëtarë të kryesisë të PDK-së, i kanë kërkuar liderit të Hashim Thaçit që përveç postit të kryeministrit, PDK-ja ta ketë edhe postin e presidentit, bënë të ditur për NEWS TV një zyrtar i lartë i kësaj partie.
Merret vesh se në një takim ndërmjet tij me disa anëtarë të kryesisë, është diskutuar kjo çështje, por kjo do të sqarohet në ditët e ardhshme.
“Në takim nuk është biseduar për resorët tjerë të kabinetit qeverisës, pasi që sipas një zyrtari të lartë të PDK-së, kjo do të bëhet pas bisedimeve me partitë tjera politike”, ka theksuar ky zyrtar.
Sipas të njëjtit burim tashmë edhe brenda Partisë Demokratike të Kosovës, ka nisur debati për të unifikuar qëndrimin e saj për negociatat që e presin javën e ardhshme për krijimin e qeverisë së re.
Zyrtari i lartë kësaj partie i ka thënë NEWSTV, se lideri Hashim Thaçi po konsultohet me anëtarët tjerë të kryesisë për ofertat që do t’ia dërgojë partive që dëshiron t’i ketë në koalicionin e ardhshëm qeverisës.
Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, duket se nuk do ta ketë të lehtë në negociatat me partitë tjera, të cilat synojnë postin e presidentit, por edhe të kryeministrit. Ai vetë ka deklaruar se do të jetë kryeministër dhe se partia e tij nuk synon të ketë të tri postet e larta shtetërore.
Por siç merret vesh e ka të vështirë të frenojë ambiciet e një pjese të PDK-së që, ky subjekt të mbajë edhe postin e presidentit. Burimi brenda PDK-së, ka thënë se nëse nuk arrihet të sigurohet edhe posti i presidentit tensionet brenda këtij subjekti politik do të rriten.
Megjithatë anëtari i kryesisë Memli Krasniqi ka thënë për Evropën e lirë se për PDK-në, vetëm një gjë është e qartë - kryeministër do të mbetet Hashim Thaçi, ndërsa postet tjera, sipas tij, mbeten të negociueshme. /kosovapress/