E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialogu në prill

Analisti i ICG’së, Naim Rashiti thotë se as Prishtina, as Beogradi, e as Brukseli nuk janë të përgatitur për bisedime. Ai parashikon që ky proces të fillojë në muajin prill dhe pret që aty të implikohen edhe çështjet politike, si Veriu i Kosovës. Rashiti vlerëson se vetëm një qeveri e fortë do të mund t’u bëjë ballë bisedimeve me Beogradin. Nga Shpend Limoni më 06 shkurt 2011 në ora 08:33

Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pritet të fillojnë në muajin prill, por asnjëra palë ende nuk është e përgatitur për to.

Kështu ka vlerësuar analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG), Naim Rashiti, në një intervistë të shkurtër për Express. Sipas tij, as në Bruksel nuk ka ndonjë qartësi se çfarë dëshirohet nga këto bisedime.

“Bisedimet duhet të kishin filluar më herët, por për shkak të dinamikave të ndryshme në Prishtinë, Beograd dhe Bruksel, ato bisedime pritet të fillojnë kah muaji prill. Në vjeshtë të vitit 2010, Brukseli dhe Washingtoni ishin pajtuar në parim për një periudhë 6-9 muaj biseda mes Prishtinës dhe Beogradit, siç thuhet për të zgjidhur një seri të çështjeve teknike. Atëherë mendohej se ky cikël bisedimesh plotësisht teknike duhet të përfundonte në vjeshtë të vitit 2011, sepse Beogradi nuk do të diskutojë pas dhjetorit të këtij viti apo edhe më herët, ngase mund të thirren zgjedhje të parakohshme në Serbi”, ka vlerësuar ai.

Zyrtarë të lartë në Bruksel, ditëve të fundit kanë bërë thirrje për fillimin e dialogut Kosovë-Serbi, por sipas Rashitit, ende nuk është e definuar asgjë.

“Brukseli ende nuk e ka të qartë së çfarë duhet të zgjidhë kjo paketë e diskutimeve dhe e rivendosjes së marrëdhënieve (takimeve) Prishtinë -Beograd. Nuk e ka të qartë ende se çfarë duhet të përfitojnë në fund të dy vendet. Beogradi vetëm pretendon se është i gatshëm për bisedime por, në fakt, vetëm kërkon të blejë kohë pa ofruar diçka thelbësore në bisedime. Prishtina, siç dihet, është në një proces tjetër dhe tema e bisedimeve është në fund të agjendës, me gjithë pretendimet”, ka vlerësuar ai.

“Prishtina ka me gjasë një mori prioritetesh të tjera dhe do t’i duhet kohë shumë për të ndërtuar një konsensus të ri për bisedime. Ky proces tani duket më i vështirë se vitin e kaluar. Duke marrë parasysh këto bisedime, Brukseli ka ndarë mendjen se takimet dhe dialogu në vetvete do të jetë sukses, për çka mendojmë se është qëndrim i zbrazët dhe jo frytdhënës. Bisedimet duhet të ndodhin vetëm nëse ato prodhojnë diçka në fund”, ka shtuar Rashiti.

Mungon vullneti

Pavarësisht se çështja e bisedimeve është adresuar në një rezolutë të BE’së dhe Serbisë vitin e kaluar në OKB, e cila i hap rrugën dialogut rreth çështjeve praktike, Rashiti thotë se temat e bisedave nuk janë caktuar ende.

“Është plotësisht e paqartë dhe konfuze se çka do të diskutohet në këto bisedime. Megjithatë, dihet se të dy palët janë pajtuar të fillojnë me çështje teknike, por shumë shpejt zgjidhja e tyre do të kushtëzohet nga qëndrimet politike të të dyja palëve. Në fund të fundit, do të ishte mirë që një seri e çështjeve teknike te zgjidhen, siç janë telekomunikacioni, transporti, njohja e dokumenteve, tabelat, bashkëpunimi policor etj. por tani nuk shihet në horizont një vullnet i mjaftueshëm, sidomos në Beograd, por edhe në Bruksel”, thotë analisti nga ICG’ja.

Sipas Rashitit, Beogradi nëpërmjet këtyre bisedimeve synon ndarjen e Kosovës.
“Zgjidhja e çështjeve teknike do të jetë peng i Veriut, sepse ky është edhe qëllimi politik i Beogradit. Beogradi nuk është i interesuar për të diskutuar për statusin e Kosovës, por për siç e thonë ata ‘ridefinimin e vijës kufitare mes Serbisë dhe Kosovës’, e kjo është ndarja”, vlerëson Rashiti.

Sipas tij, shumë çështje që kanë të bëjnë me Veriun nuk mund të zgjidhen nga EULEX’i dhe pikërisht kjo është arsyeja pse ato do të shtrohen për diskutim ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Në fazë më të vonshme, elemente që ndërlidhen me Veriun siç janë, doganat, gjykatat, policia, administrata publike në Veri apo edhe çështje të tjera do të jenë pjesë e diskutimeve. Në fund të fundit, për këtë është përcaktuar edhe BE’ja dhe EULEX’i. Asnjë nga këto çështje nuk mund të zgjidhen nga ana e EULEX’it, përkundër faktit se pikërisht këto kanë qenë në mandatin fillestar të EULEX’it. Dhe, në fund, Prishtina do të detyrohet që këto të zgjidhen përmes negociatave me Beogradin, i cili në masën më të madhe të mundshme administron me Veriun”, thotë Rashiti.

Ai pranon se pozicioni i palës kosovare është dëmtuar nga raportet që kanë qarkulluar kohëve të fundit, por sipas tij, pozicioni i Kosovës në bisedime do të varet më shumë nga zhvillimet e brendshme politike, ekonomike dhe konsolidimi shtetëror.

Rashiti konsideron se një qeveri e përgjegjshme e Kosovës do t’i kryente pa telashe bisedimet me Serbinë.

“Nëse ka qeveri të fuqishme, me njerëz të fuqishëm dhe program të qartë zhvillimor ekonomik, reformues për sistemin qeverisës të Kosovës, ajo do të mund t’i kryejë edhe bisedimet me Serbinë”, ka vlerësuar ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›