“WAZeuobserver”: Kosova mbetet vrimë e zezë në Ballkan
Portali i internetit WAZ.euobserver shkruan se gjatë vitit 2011 nuk do të zgjidhet kontesti i emrit të Maqedonisë, edhe pse ky do të jetë problemi kryesor me të cilin do të ballafaqohet gjatë tërë vitit ky vend, transmeton agjencia e lajmeve INA.
“Maqedonia rrezikon të mbetet vend kandidat në BE, por pa datën e fillimit të negociatave paraqasëse. Prandaj ajo do të shlyhet nga afatet kohore të BE-së, dhe që mund të destabilizojë vendin, ku 25 për qind të popullsisë e përbëjnë shqiptarë”, shkruan WAZ.euobserver.
Sipas kësaj analize, muaji prill i vitit 2011 është periudhë e ndjeshme për vendin, për shkak të mbajtjes së regjistrimit të popullsisë, me të cilin do të vërtetohet numri i vërtetë i shqiptarëve, ndërsa raporti i këtij komuniteti me shumicën do të vendos në pikëpyetje tërë arkitekturën politike dhe stabilitetin ndëretnik.
Kur bëhet fjalë për Kosovën, në analizë vlerësohet se ky shtet më i ri evropian do të fillojë dialogun me Serbinë gjatë vitit 2011, por kjo asgjë nuk do të ndryshojë.
“Kosova mbeti ashtu siç nuk ka dëshiruar BE-një vrimë e zezë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në analizë, duke shtuar se EULEX-i si mision do të jetë nën presion të madh për të treguar rezultate konkrete
WAZ.euobserver për Shqipërinë shkruan se qytetarët e këtij vendi në vitin 2011 për herë të parë në histori do të mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së pa viza, kështu që sigurisht një numër i madh i qytetarëve të këtij vendi do ta bëjnë këtë. Por, sipas analizës, një numër i madh i qytetarëve shqiptarë do të kthehen në shtëpitë e tyre dhe do të respektojnë liberalizimin e vizave.
Afrimi i Shqipërisë në BE vlerësohet si i “pafatë”, dhe se rikujtohet në analizë se ky është vendi i vetëm që ka marrë mendim negativ nga Komisioni Evropian, por një shans të ri do ta ketë edhe në vjeshtën e këtij viti.
Kroacia në këtë analizë merë vlerësime pozitive dhe se ky vend vlerësohet ka plotësuar ato kushte që kërkohen nga BE, por Qeveria e Zagrebit inkurajohet për vazhdimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Lidhur me Bosnjë-Hercegovinën thuhet se qëllimet kryesore të këtij vendi janë plotësimi i kushteve për mbylljen e Zyrës së përfaqësuesit të lartë të BE-së në Sarajevë.
Sipas Waz.euobserver, Serbia në rastin më të mirë në vitin 2011 do të mund të përfitojë statusin e vendit kandidat në BE. Në analizë theksohet se kjo varet edhe nga arrestimi i kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq.
Mali i Zi përgatitet që gjatë vitit 2011 të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, por si shqetësim është paraqitur mungesa e masave kundër krimit të organizuar dhe mungesa e lirisë së medias.
Rumania dhe Bullgaria edhe gjatë vitit 2011 do të shpresojnë të bëhen pjesë e shengen zonës, pas refuzimit të tyre gjatë këtij viti. /INA/