Fatkeqësitë e pazëvendësueshme
Nxjerrja e naftës në shumë vende ndërlidhet me dëmet e mëdha për ambientin. As energjia atomike nuk duket të jetë ndonjë alternativë e vërtetë, sepse në botë nuk ka ende ndonjë depo për mbeturina atomike.
Zhvillimi dhe mirëqenia materiale janë të varura më shumë prej një faktori se sa nga cilido faktor tjetër: nga energjia. Pa energji në Evropë nuk do të kishte revolucion industrial, dhe pa energji nuk do të kishte as zhvillim ekonomik e as globalizim. Por, energjia për të cilën bota ka kaq shumë nevojë po bëhet gjithnjë e më e rrallë. Kjo, për shkak se rezervat e rezervave fosilike të energjisë – si nafta, gazi dhe qymyrguri – po mbarojnë, ndërkohë që edhe klima po ndryshon. Mjedisi po vdes prej urisë gjithnjë në rritje për energji.
Politikani social-demokrat gjerman, Hermann Scheer, i cili deri në vdekjen e tij në mesin e tetorit të vitit 2010, ishte një luftëtar i palodhur për energjitë e riciklueshme, mendonte se:
"E vërteta për energjinë është, se është e mundshme që e gjithë nevoja e një vendi për energji të plotësohet me energji të riciklueshme. Kjo është e mundimshme, por parakusht që të gjithë të kenë mundësi të përdorin në të ardhmen energji neutrale ndaj ambientit, të mjaftueshme dhe me çmim të favorshëm. Kjo është sfida e këtij shekulli”. Pak pas vdekjes, iu botua libri i tij "Imperativi energjetik - 100 përqind tani".
Po një gjë e tillë, pra një ndryshim i plotë i politikës energjetike, nuk do të ndodhë menjëherë askund. Gjithsesi, pas katastrofave si ajo me platformën e naftës në Gjirin e Meksikës shumë qeveri gjetjen e alternativave ndaj "arit të zi" po e shohin si një domosdoshmëri. BE’ja po synon që deri në vitin 2020 në botë të arrihet një reduktim i emisioneve të gazrave që shkaktojnë efektin serë për 20 përqind në krahasim me vitin 1990, e madje edhe deri në 30 për qind, në rast se kësaj nisme i bashkohen edhe vendet tjera.
Ministri gjerman i Ambientit, Norbert Röttgen, pohon se Qeveria gjermane madje ka shkuar edhe më larg me planet e saj. Sipas ministrit Röttgen, “qëllimi gjerman - madje i arritshëm pas atyre që kemi arritur deri tani - është 40 përqind deri në vitin 2020. Kjo përcaktohet edhe në marrëveshjen e koalicionit dhe duam të jemi besueshëm si me kontributin tonë për qëllimin global, edhe si levë e modernizimit teknologjik dhe ekonomik”. Madje, Röttgen mendon se reduktimi prej 40 përqind deri në vitin 2020 është i mundshëm edhe në nivel të BE’së.
Qeveria gjermane synon që këtë reduktim ta arrijë përmes zgjatjes së kohës së punës së centraleve atomike. Ky vendim i qeverisë ka hasur në protesta masive në Gjermani. Të cilën gjë e dëshmuan edhe protestat që u mbajtën kundër transportimit të kontejnerëve me mbeturina atomike për në Gorleben.
Faktikisht, shumica e gjermanëve mendojnë se energjia atomike nuk paraqet një alternativë, sepse ajo është tepër e rrezikshme, tepër e pasigurt dhe tepër e shtrenjtë për taksapagues. Gjithashtu, shumica e gjermanëve mendojnë se energjitë e riciklueshme, të përftuara nga energjia e diellit, erës dhe ujit janë shumë më tërheqëse sesa energjia atomike. Si rrjedhojë, tashmë edhe në Gjermani po mendohet për subvencionimin shtetëror për energjitë e riciklueshme.
Shtetet si Kosta Rika apo Maledivet janë duke punuar ndërkohë për një ristrukturim të plotë të degëve të prodhimit të energjisë. Si pasojë, brenda disa dhjetëvjeçarësh ato pritet të prodhojnë energji krejtësisht neutrale sa i përket CO2.
(DW)