Neve ose AAK’në
Lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli shprehet i qartë në ambiciet e tij dhe vizionin për koalicion qeverisës.
Ai thotë se synon Presidencën, derisa shfaqet skeptik nëse do të hyjë në një koalicion me PDK’në nëse Hashim Thaçi nënshkruan partneritet me partinë e Ramush Haradinajt, AAK’në.
Express: A keni pasur ndonjë kontakt me Kryetarin e PDK’së, Hashim Thaçi, pas takimit të parë që kishit pas zgjedhjeve?
Pacolli: Ne nuk kemi pasur ndonjë bisedë. Ne as atëherë kur jemi parë, nuk kemi biseduar për koalicion, por për ecurinë e procesit zgjedhor dhe formimin e institucioneve. Pas atij takimi, ne nuk jemi takuar më për arsye se unë gjendem në pushim jashtë Kosovës.
Express: Shihet ditëve të fundit një gatishmëri e Thaçit për bashkëpunim edhe me AAK’në. Madje, spekulohet se ai mund t’ia japë kësaj partie edhe postin e Presidentit. A do të hynit ju në këtë formulë qeverisëse?
Pacolli: Unë nuk kam kurrfarë averzioni me AAK’në. Nuk kam vija të kuqe me AAK’në, mirëpo, vetëm një frikë e kam. Nëse do të jenë AAK’ja dhe PDK’ja së bashku, më duket hapësira jonë do të jetë shumë e reduktuar dhe veprimet tona nuk do të vërehen. Për atë, unë nuk do të jem i interesuar për këtë formulë qeverisëse. Pra, nuk kam averzion për askënd, por në këtë konstalacion, e shoh se hapësira jonë zvogëlohet në atë masë ku ne nuk mund të veprojmë dhe ne nuk do të jemi të interesuar të jemi pjesë e asaj qeverie.
Express: A hyni ju në koalicion, edhe nëse nuk u jepet posti i Presidentit, siç e pretendoni?
Pacolli: Unë futem në koalicion vetëm kur e di se mund t’i kontribuoj qytetarit të Kosovës. Nuk futem as unë, e askush nga AKR’ja dhe partnerët tanë vetëm për poste. Por konsideroj se kontributi im më i madh do të mund të jepej nëpërmjet ushtrimit të postit të Presidentit. Unë e konsideroj postin e presidentit, post ideal, prej ku unë mund t’i ndihmoj Kosovës dhe nëse e shohim se do të devijohet nga kjo qasje, ne do të tërhiqemi nga të gjitha kombinimet për qeverisjen e ardhshme. AKR’ja nuk hyn për përfitim, por për kontribut dhe ne e kemi thënë qartë se nga ku mund të kontribuojmë më së miri dhe më së shumti.
Intervistën mund ta lexoni në faqen 4-5.