18 mars 2008- Topalli: I gjithë shteti është në këmbë për menaxhimin e situatës. Ambasadorja zviceriane: Nga Zvicra mjekime për të lënduarit dhe ndihmesë në rindërtimin e banesave dhe shkollave në Gërdec.
Kryetarja Topalli e njohu ambasadoren me zhvillimet e fundit mbi tragjedinë e Gërdecit, duke theksuar se i rëndësishëm tashmë është pastrimi i territorit dhe kthimi i banorëve në shtëpitë e tyre.
I gjithë shteti është në këmbë, theksoi zonja Topalli. Qeveria po verifikon shkallën e dëmtimeve të kësaj tragjedie të dhimbshme që na ka shokuar të gjithëve, ndërsa ka ende të humbur dhe po bëhen të gjitha përpjekjet për gjetjen e tyre. Menaxhimi i situatës nga të gjitha insitucionet ka qenë në shkallën më të lartë të përgjegjësisë dhe me shpejtësinë më të madhe të mundshme. Ka qenë një menaxhim shumë i organizuar dhe efikas, për të kufizuar sa më shumë pasojat e tragjedisë, ndërkohë që të gjithë ne po ndjekim hap pas hapi gjithçka që ndodh në terren, me të lënduarit dhe me banorët e Gërdecit. Tashmë qeveria është mobilizuar për rindërtimin e shtëpive, shkollave, qendrave shëndëtësore, bizneseve të dëmtuara dhe për të ndihmuar finaciarisht banorët e Gërdecit.
Janë marrë të gjitha masat për strehimin e përkohshëm të banorëve të fshatit, ndërsa do të nisë edhe mësimi për fëmijët. Jemi në një agazhim maksimal për tu ofruar të gjithëve gjithçka që u nevojitet, deri në rikthimin e tyre në shtëpi.
Ambasadorja e Zvicrës, duke shprehur gatishmërinë e vendit të saj për mbështetje, informoi Kryetaren e Kuvendit se një ngarkesë me mjekime për të lënduarit pritet të mbërrijë nga Zvicra, ndëkohë që qeveria zviceriane do të kontribuojë edhe në rindërtimin e banesave e kryesisht të shkollave në Gërdec.
Kryetarja e Kuvendit falënderoi zonjën Enzler dhe shprehu mirënjohjen për qeverinë zviceriane për kontributin në lehtësimin e pasojave të kësaj tragjedie të rëndë.