15 vjet burg Romeo Lekës, grabiti bankën dhe mori peng një vajzë
Tiranë- Romeo Leka, i riu që u bë protagonist i një pengmarrjeje spektakolare në qendër të kryeqytetit, rreth një vit më parë, do të qëndrojë 10 vjet në qeli. Vendimi është dhënë dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila shpalli Lekan fajtor për të paktën pesë vepra penale, që janë kryer prej tij gjatë dy ditëve në mars të vitit të shkuar. Sipas vendimit të Gjykatës, 25-vjeçari është fajtor për rrëmbim personi, grabitje me armë, heqje të paligjshme të lirisë, grabitje e mbetur në tentativë, akuza për të cilat u dënua me 15 vjet heqje lire. I pranishëm gjatë dhënies së vendimit, 25-vjeçari kërkoi mëshirë nga gjykata. “Kërkoj mëshirë, pasi edhe unë jam treguar i mëshirshëm. Vërtet mund të quhet pengmarrje, por unë vetëm një herë ia drejtova pistoletën asaj vajzës, pastaj e mbajta për dore, njësoj si ta kisha motër”- tha Leka në Gjykatë. Gjatë fjalës së tij, ai tregoi edhe episodin e tentativës së grabitjes së një banke në lagjen “Ali Demi” në kryeqytet, për të cilën tha se nuk i kishte marrë paratë. Në një gjendje mendore gati të paqëndrueshme, i pandehuri tregoi se një nga arkëtaret ishte shumë e bukur. “Unë i drejtova pistoletën dhe kërkova paratë. Më pas dola nga banka. U riktheva përsëri aty, por paratë nuk i mora. Nuk e pashë kur u ndez alarmi, por e kuptova dhe u largova” - tha dje në Gjykatë Romeo Leka. Për këtë akuzë, avokati i tij mbrojtës tha se nuk mund të quhet grabitje në tentativë, pasi klienti i tij ka hequr dorë nga realizimi i qëllimit dhe nuk është penguar nga shkaqe të pavarura prej tij. Gjatë fjalës së tij, avokat Ferdinand Doja kërkoi që gjykata të merrte parasysh cilësimin e akuzës përsa i përket grabitjes së bankës në qendër të kryeqytetit, ndërsa pranoi akuzat, përfshi edhe mbajtjen peng të një vajze nga klienti i tij. Pas konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes, Gjykata shpalli fajtor dhe dënoi me 13 vjet burg Romeo Lekën për akuzën rrëmbimit ose mbajtjes peng të një vajze, menjëherë pas grabitjes së bankës në qendër të kryeqytetit. Gjithashtu, 25-vjeçari u shpall fajtor për grabitjen e bankës, ndërsa dënime mori për heqje të paligjshme të lirisë ndaj një taksisti, si dhe kanosjen e një tjetër personi. Në përfundim, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Sandër Simoni dënoi Romeo Lekën me 15 vjet heqje liri, ndërsa ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Rome Leka, i cili ka jetuar prej disa vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u bë protagonist i një ngjarjeje të denjë për skenarët e filmave të Hollivudit. Në mars të vitit të shkuar, 25-vjeçari që qëndronte prej disa ditësh në Tiranë, nën kërcënimin e armës ka grabitur një bankë që ndodhet në ambientet një hoteli pranë Kryeministrisë. Në tentativë për t’i shpëtuar policisë, ai ka marrë pengë një kalimtare, me të cilën nën kërcënimin e armës ka qëndruar për rreth një orë e gjysmë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në zonën e ish-Bllokut. Ngjarja e pazakonte u transmetua thuajse nga të gjitha mediat, ku Romeo Leka shfaqej duke mbajtur përdore një vajzë, ndërsa herë pas here kërcënonte policinë me një pistoletë, e cila rezultoi të ishte pa fishekë. Pas ngjarjes, mbrojtja e 25-vjeçarit pretendoi se Leka kishte probleme mendore dhe kërkoi kryerjen e një ekspertimi për të përcaktuar gjendjen e tij mendore. Por edhe pas përfundimit të ekspertizës, rezultoi se Romeo Leka ishte në gjendje mendore të qëndrueshme, dhe për këtë arsye u vendos t’i nënshtrohej procesit gjyqësor, ku dje u shpall fajtor dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie.