E Diel, 1 Nëntor 2026

Certifikohen 25 oficerë policie, Basha: Është sukses i dyfishtë

Certifikohen 25 oficerë të policisë që përfunduan “Kursin bazë të hetimit” dhe 16 të tjerë që përfunduan kursin e trajnimit për “Instruktor ndërkombëtar”. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, mori pjesë dje në ceremoninë e dorëzimit të këtyre certifikatave. “Certifikimi i sotëm i një numri të madh të oficerëve të Policisë së Shtetit më jep rastin të konstatoj një sukses të dyfishtë dhe të jap përgëzime të dyfishta. Këto trajnime të realizuara me ekspertizën më të mirë dhe mbështetjen më solide të organizatave tona partnere PAMECA dhe ICITAP për Policinë e Shtetit dhe Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në radhë të parë kanë konsoliduar edhe më tej traditën e përftimit të njohurive më bashkëkohore, praktikave më të mira në fushën e hetimit dhe së dyti janë kthyer në një ambjent ndërveprues midis agjencive kryesore të zbatimit të ligjit në Shqipëri”, deklaroi Basha. Sipas tij për herë të parë Policia e Shtetit do të jetë jo vetëm implementuese e standarteve dhe praktikave më të mira bashkëkohore, euroatlantike, por edhe përçuese e këtyre praktikave në organizatat policore të vendeve të ndryshme duke filluar në Afganistan. “Kjo është padyshim shenjë e një besimi të madh, por që vjen padyshim edhe pas një investimi të madh, një investim të cilin organizata e Policisë së Shtetit e ka kthyer me sukses të plotë në shërbimet që u ofron sot qytetarëve shqiptarë, në shërbimin që ofron sot në territorin e Republikës së Shqipërisë, në misionin e saj të shenjtë për rend dhe ligj”, deklaroi Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›