150 nxënës, një orë në këmbë për të shkuar në shkollë
Bulqizë
Mungon udhëtimi i siguruar për këta fëmijë. Mësuesit: Po bien nga mësimet
Të paktën 150 nxënës të shkollës 9-vjeçare Godvi në Komunën e Zerqanit të rrethit Bulqizë, janë të detyruar të vijojnë mësimin duke ecur në këmbë për çdo ditë, nga 1 deri në 1.5 orë. Në këtë shkollë vijojnë mësimet fëmijë nga fshatrat Peladhi, Peladhi e Epërme, Godvi, Krajkë dhe Sofroçan, largësia e të cilëve nga shkolla shkon nga 2 deri në 3 kilometra larg saj. Kështu, në mungesë të sigurimit të furgonëve për dërgimin e këtyre fëmijëve në shkollë, atyre u duhet të udhëtojnë në këmbë për çdo ditë, nga këta fshatra ku banojnë. Një situatë e tillë i ka vënë tejet në vështirësi fëmijët për të vijuar rregullisht mësimin, sidomos ata 5-vjeçarë të kopshtit dhe 6-vjeçarë të klasës së parë. Mësuesit e shkollës thonë se mungesa e transportit me makinë për këta nxënës, veç të tjerave, ka sjellë edhe rënien e nivelit të nxënies së mësimeve prej tyre. Aq më tepër për fëmijët e kopshtit dhe ata të klasës së parë, të cilët janë tejet të vegjël për të përballuar ecjen në këmbë deri në mbi 5 kilometra vajtje-ardhje për çdo ditë mësimi në këtë shkollë. “Kemi kërkuar pranë komunës që të sigurojë transportin me makinë për fëmijët, por edhe përkundër premtimeve të marra, deri më tani vetëm për fëmijët e fshatit Sofroçan është siguruar transporti me makinë, ndërsa për të tjerët akoma jo, thotë njëri nga prindërit e këtyre nxënësve”. Madje, prindërit janë të frikësuar edhe për sigurinë e lëvizjes në këmbë të fëmijëve, pasi ata duhet të ecin në aksin rrugor nacional, ku janë tejet të ekspozuar nga aksidentet automobilistike, që në historikun e funksionimit të kësaj shkolle edhe pa dashur t’i përmendim, ata nuk kanë munguar. Ndërkohë, një rrezik i tillë, me ndërtimin e të ashtuquajturës Rruga e Arbrit, segmenti Bulqizë-Ura e çerenecit, rreziku i aksidentimit për këta fëmijë është rritur akoma më shumë, për shkak të shpejtësisë të madhe me të cilën lëvizin aktualisht mjetet në këtë rrugë.
#