Natyra e konflikteve etnike, si dhe e ardhmja e Kosovës
Periudha e pas-luftës është ndoshta aq vendimtare për të ardhmen e një vendi, sa edhe rrjedha e betejës. Ndodh rrallëherë në historinë e shteteve, që njëri prej tyre të humbasë luftën, por të ndërtojë një të ardhme të lakmueshme, i tillë është rasti i Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, por qëllon jo gjithashtu rrallëherë që shtetet të dalin ngadhënjyese në një konflikt të armatosur dhe të humbasin të ardhmen e tyre, siç ishte shembulli i Europës Lindore, duke përfshirë edhe Shqipërinë, të dala teknikisht fituese në Luftën e Dytë Botërore, që duke u orvatur të zbatonin preceptet e komunizmit, në të cilat ato besonin, u zhytën në një mbrapshti 50-vjeçare, pasojat e të cilave ato po përpiqen t’i riparojnë ende sot e kësaj dite. “Burrështetasit si dhe elitat që e drejtojnë atë janë personifikimi më i mirë i racës që prej nga ato dalin, me një fjalë popujt që ato përfaqësojnë”, mendonte ish-kryeministri anglez, Disraeli. Misioni i filozofit është që, nëpërmjet një sistemi refleksioni të mundet të shpjegojë veçoritë metafizike, natyrore e hyjnore në raport me njeriun, ecurinë, si dhe efektet e prodhuara prej tij, duke filluar nga governanca, tipi i regjimit të ndërtuar, marrëveshja sociale e duke përfunduar te lufta dhe pasojat e saj. Ndërsa fusha e veprimit të mendimtarit është teoria, misioni i shtetarit është konkretja. Tek burri i shtetit, gama e të gabuarit është shumë e vogël ose aspak; i pajisur me një kthjelltësi intelektuale, duke pasur njohje të së shkuarës, të shoqëruar me një vizion të së ardhmes, misioni i tij është fare i qartë, në rastin e shteteve të mëdha është ndalimi i dekadencës së institucioneve njerëzore, nëpërmjet inovacionit, pra transformimit të përhershëm, duke siguruar vazhdimësinë e risinë e tyre, shkurt përjetësinë e tyre. Në rastin e shteteve të vogla me probleme specifike, siç është Kosova, është transformimi, pra zhvendosja nga një situatë tranzitore në një konsolidim të gjithanshëm që do t’i mundësonte që të përleshej në të ardhmen me çdo përballje. Rasti i Kosovës zë vend në faqet e regjistrit të historisë botërore, aty ku bëhet fjalë, për ato që në terminologjinë e marrëdhënieve ndërkombëtare i cilësojnë si konflikte etnike. U pa qartë se konfliktet ndëretnike u shfaqën pothuajse si kërpudhat pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, d.m.th, pas përmbysjes së botës së Luftës së Ftohtë, asaj të dominuar prej dy superfuqive, SHBA e BS. Arkitektura botërore përgjatë Luftës së Ftohtë impononte, pothuajse bllokonte shpërthimin e konflikteve ndëretnike. Qëllonte që diplomacia amerikane, duke u bazuar në ekuilibrin e forcave, përpiqej që të ngrinte kacafytjet etnike, duke prezervuar momentalisht integritetin e Jugosllavisë së Titos, duke e paraqitur këtë të fundit si shembull sfide përkundrejt perandorisë sovjetike. Nga ana e saj, Rusia komuniste kishte gati një lloj patologjie në lidhje me çdo lëvizje shkëputëse apo grindje etnike, fatale historikisht për stabilitetin dhe madhështinë e Rusisë, duke pasur parasysh mënyrën se si ajo ishte krijuar e zgjeruar dhe funksiononte. Rasti i krizës qipriote, si dhe invadimit të saj nga ushtria turke (1974) ishte ndër shembujt e paktë të një konflikti etnik në Europë, rezultat i fuqisë imponuese si dhe përmasave të shtetit turk. Për sa i përket Serbisë dilema e përhershme e saj ka qenë e do të jetë orientimi në aleancë. Edhe një Serbi në epokën e mondializimit, e konsoliduar ekonomikisht dhe deri-diku ushtarakisht, duke mos nxjerrë mësimet e së shkuarës, e zhveshur nga sistemi i vetanalizës, apo një falje e përgjithshme adresuar kombeve që kanë pësuar prej saj. Forcimi si dhe thellimi i aleancës tradicionale me Rusinë, nga mungesa e çdo marrëveshjeje me kundërshtarët e saj tradicionalë, kryesisht SHBA do ta shndërronte sërish atë në një shtet problematik për Ballkanin, por ndoshta edhe në ndonjë ndërthurje të politikës botërore. Të shfrytëzosh momentin është shenjë e zgjuarsisë të një kombi si dhe të elitave të tij drejtuese. Të përmbushësh detyrat do të thotë, ta përgatisësh këtë komb në përballimin e të papriturave të historisë, e kështu në dekadat e largëta, historianët do të shkruajnë se shqiptarët në kapërcyellin e shekujve XX-XXI, përmbushën më së miri pjesën e tyre të misionit në historinë universale. Mundësia iu është ofruar, në çfarë mase do të shfrytëzohet ajo, ngelet për t’u parë.
#