Rama: Asnjë lëshim për kutitë. Jo zvarritjes së bisedimeve
Lideri i opozitës: Nuk tërhiqemi
Lideri i opozitës, Edi Rama, ka deklaruar dje pas tryezës me Presidentin se nuk do të tolerohet zgjatja pa fund e bisedimeve dhe se opozita nuk do të heqë dorë kurrë nga hapja e kutive për të realizuar transparencën e procesit zgjedhor. Kryetari i socialistëve shqiptarë ka shprehur qëndrimin e tij pro dialogut, por ka bërë të ditur se opozita nuk shkon as për bisedime formale, as për të mundur rivalin politik, por vetëm për të zgjidhur krizën. Rama, duke bërë të ditur para publikut thelbin e bisedimeve të djeshme, deklaroi se “me zotin Berisha patëm një ballafaqim të hapur të pikëpamjeve të kundërta për thelbin e problemit, që nga ana ime jam plotësisht i angazhuar ta zgjidh, por kurrsesi i predispozuar ta mbuloj apo anashkaloj. I nënvizova se ne nuk lëvizim nga parimi themelor i transparencës së plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të shkuara, për të çliruar njëherë e mirë zgjedhjet në Shqipëri prej kthetrave të korrupsionit elektoral. Kjo do të thotë se, ashtu sikundër u bë e qartë edhe nga bashkëbiseduesit, lënia e kutive të 28 qershorit jashtë objektit të hetimit parlamentar që kërkojmë qysh në krye të herës, do të ishte shkelje e patolerueshme e parimit që na udhëheq në përpjekjen tonë, dorëzim i pajustifikueshëm i së drejtës sonë kushtetuese e ligjore për të nxjerrë në dritën e diellit të vërtetën e kutive të votimit, pranim i palejueshëm i faktit se Shqipëria edhe nesër do të bëjë zgjedhje po kaq të papranueshme sa dje”. Kreu i opozitës ka deklaruar se e ka sqaruar Berishën se “nuk kemi punë as me vendimet e gjykatave dhe as me ndonjë përpjekje për të përmbysur rezultatin e nxjerrë në rrugë ligjore përmes hetimit parlamentar”. Rama deklaroi në fund se siç ia thashë hapur e shumë sinqerisht zotit Berisha, nuk jam aspak i gatshëm të pranoj zvarritjen e dialogut në pafundësi. Jo sepse unë s’kam durim, përkundrazi, por sepse thellimi i krizës po bëhet i padurueshëm për shqiptarët dhe opozita e këtij vendi nuk përfaqëson interesat e mia, po interesat e të gjithë shqiptarëve”.
#