E Shtunë, 31 Tetor 2026

1500 nxënës marrin pushimet për një vit shkollor

Ndryshimi i sistemit shkollor, penalizon 1500 nxënës mbetës në klasë, të cilët do të vazhdojnë shkollën më 2009

Provimet për mbetësit, më 10-25 prill 2009. Kush nuk i merr, sërish kalon me korrespondencë

Pothuajse 1500 nxënës, i kanë dhënë lamtumirën shkollës të paktën për një vit, pas perfomancës së dobët që kanë treguar në mësime gjatë vitit mësimor 2007-2008. Nxënësit, të cilët përfaqësojnë jo pak, por 10 për qind të numrit të përgjithshëm të shkollarëve që marrin dije në bankat e kryeqytetit, kanë rezultuar mbetës në vitin e parë të shkollës së mesme e për këtë arsye, të prekur nga ndryshimi i sistemit arsimor, do të duhet ta kalojnë vitin shkollor në vazhdim në shtëpi. Këtë fakt e kanë pranuar edhe specialistë të Drejtorisë Arsimore në Tiranë, të cilët janë shprehur se nxënësit të cilët nuk arritën të marrin vitin e parë të shkollës së mesme, do të ulen në banka jo këtë vit, por në shtatorin e vitit 2009. Arsyeja e pushimit të gjatë, lidhet me ndryshimin e sistemit arsimor parauniversitar. Në vitin e ri shkollor, pas kalimit të arsimit të mesëm në sistemin 3-vjeçar nuk do të kemi vit të parë, gjë që do të mundësohet në vjeshtën e vitit 2009. Për të gjithë ata nxënës që nuk arritën të marrin klasën në vitin e parë të shkollës së mesme, provimet për të marrë vitin do të duhet t’i shlyejnë në periudhën 10-25 prill 2009. Ky urdhër është lëshuar për zbatim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencave, ku thuhet se mbetësit do të fillojnë vitin shkollor në vitin 2009-2010, kohë kur brezi i parë i nxënësve që përfundojnë klasën e 9-të kalon në arsimin e mesëm. Nxënësit, të cilët arrijnë të marrin provimet ku kanë rezultuar mbetës, do të regjistrohen, nëse dëshirojnë të vazhdojnë arsimin e mesëm, në klasën e 10-të, që përkon me vitin e parë, duke iu përshtatur sistemit të ri arsimor. Ministria e Arsimit ka gjetur një zgjidhje edhe për nxënësit të cilët nuk arrijnë të marrin për herë të dytë provimet e mbartura. Në urdhrin dërguar Drejtorive Arsimore Rajonale dhe atyre Zonale, MASH, informon se nxënësit të cilët rezultojnë sërish mbetës mund të kalojnë për të kryer shkollën e mesme në sistemin e shkollave me kohë të shkurtuar, ose siç njihet ndryshe me korrespondencë. Ndryshimet në sistemin arsimor parauniversitar, megjithëse janë të bërë të ditura disa vite më parë, janë ligjëruar së fundi në bazë të një Vendimi të Këshillit të Ministrave, vendim në të cilin shkollat e mesme të përgjithshme, tani e tutje do të quhen gjimnaze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›