E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajneri Han, 18 lojtarë për miqësoren me Lihtenshteinin

 

Nuk ka ndryshime në listën e lojtarëve që do të grumbullohen për miqësoren e 20 gushtit, ku ekipi kombëtar do të luajë me Lihtenshteinin, në stadiumin "Qemal Stafa", ora 20:45. Trajneri kuqezi Ari Han është bazuar tek ata futbollistë që thirri edhe në miqësoren e 27 majit me Poloninë. "Këtë herë, trajneri ka menduar të mos thërrasë emra të rinj, që i ka pasur në vëmendje gjatë kësaj kohe. Me Lihtenshtetin do të provojë ekipin që mendohet të jetë ndaj Suedisë,"- tregojnë burime zyrtare në FSHF. Për miqësoren me modestët e Lihtenshteinit, holandezi ka thirrur vetëm 18 lojtarë, duke mos preferuar 22, siç ndodh zakonisht. Kuqezinjtë nuk kanë kohë për t'u përgatitur, sepse grumbullimi do të bëhet vetëm 48 orë para ndeshjes. "Për Ari Hanin, kjo ndeshje shikohet shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh se nuk ka më kohë për ta provuar ekipin në prag të eliminatores me Suedinë. Eshtë vetëm miqësorja e dytë dhe ai ka thënë se do të kërkojë që të mbledhë mendjen, edhe për ato pak dyshime që ka mbi lojtarët dhe formacionin. Ky i fundit pritet të mos ketë ndryshime. Pra, me shumë mundësi do të jetë si ai ndaj Polonisë. Risi mund të jetë zhvendosja taktike e ndonjë lojtari. Gjithsesi, këtë herë Hani pritet të kthejë si titullar portierin Arjan Beqaj, i cili u la pushim ndaj Polonisë, ku u aktivizua Hidi,"- konfirmojnë burime të sigurta pranë trajnerit të kombëtares, i cili aktualisht ndodhet në Kinë, duke ndihmuar ekipin olimpik holandez. Reparti i mbrojtjes që çaloi ndaj polakëve do të provohet sërish me Lilën nga e djathta, Currin e Dallkun në qendër, si dhe Vangjelin nga e majta. Në mesfushë Hani ka besuar përsëri te të përhershmit Cana, Lala, Skela dhe Duro, ndërkohë që listës i shtohen fantazistët Bylykbashi, Hyka dhe Bakaj, gjithashtu Bulku. Ky i fundit, bashkë me Dorian Bylykbashin shikohen si alternativa të para nga stoli. Ndërkohë, ndaj Lihtenshteinit pritet të bëjë debutimin me fanellën kuqezi edhe mesfushori i majtë, Ansi Agolli, i cili për shkak se ishte i angazhuar me ekipin në Finlandë, nuk u lejua nga klubi. Ashtu si në ndeshjen e fundit, listës së Hanit i mungojnë "veteranët" e kombëtares: Nevil Dede, Altin Haxhi dhe Alban Bushi. I pari kishte shumë shanse të thirrej përsëri në kombëtare, por thyerja e dorës duket se e ka lënë jashtë qendërmbrojtësin, që aktualisht aktivizohet në kampionatin kinez. Për Haxhin, gjërat duket se janë më të komplikuara, pasi gjirokastriti nuk iu përgjigj ftesës për ndeshjen me Poloninë. Në repartin sulmues, holandezi ka thirrur gjithashtu të zakonshmit Bogdani, Salihi dhe Kapllani. Të tre kanë shënuar me skuadrat e tyre gjatë kësaj periudhe, por vetëm dy do të jenë në fushë ndaj Lihtenshteinit.

Ja lista anti-Lihtenshtein

Portierë

Arjan Beqaj(Anorthosis)

Isli Hidi(Alqi Larnaka)

Mbrojtës

Kristi Vangjeli(Aris)

Debatik Curri(Vorskla)

Armend Dallku(Vorskla)

Andi Lila(Tirana)

Ansi Agolli(Tirana)

Mesfushorë

Lorik Cana(O.Marsejë)

Ervin Skela(Kotbus)

Altin Lala(Hanover 96)

Klodian Duro(Omonia)

Jahmir Hyka(Mainz 05)

Ervin Bulku(Krivbas)

Dorian Bylykbashi(Krivbas)

Elis Bakaj(Partizani)

Sulmues

Erion Bogdani(Kievo)

Edmond Kapllani(Karlsruhe)

Hamdi Salihi(Ried)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›