Në Shqipëri nuk funksionon mekanizmi monetar
FMN thotë se Mekanizmi i Përçimit në treg të Politikës Monetare nuk është ende funksional
Mekanizmi i Transmisionit të Politikës Monetare ka dobësi shumë të rëndësishme, ndërsa modelet e zbatuara për parashikim janë ende në fazat e para të ndërtimit, thotë FMN në raportin e saj vjetor për Shqipërinë. Mekanizmi i Transmisionit, është një koncept që paraqet se sa reagojnë tregjet ndaj vendimeve të politikës monetare që përcaktohen nga Banka e Shqipërisë. Teorikisht, norma bazë e interesit në ekonomi, REPO, është mekanizmi që duhet të përcaktojë interesat e kredisë dhe depozitave në treg dhe që ndikojnë më pas në kërkesë-ofertën në ekonomi. “Një normë e lartë euroizimi, kërkesë për kredi inelastike përkundrejt normave të interesit dhe kushtet e likuiditetit, bëjnë që politika e REPO- ve të funksionojë kryesisht përmes kursit të këmbimit”,- thotë FMN. Për të përmbajtur rritjen e çmimeve, Fondi këshillon masa të tjera në shoqërim të politikës monetare. “Kushtet e tregut të shitjes me pakicë janë pothuajse në nivelin e monopolit”, shkruhet në raport. “Masat për të rritur konkurrencën dhe produktivitetin duhet të kthehen në objektiva që duhet të realizohen urgjentisht”.
Interesat e depozitave dhe kredive në Shqipëri, të cilat teorikisht duhet të përcaktohen nga politika monetare, përcaktohen në fakt nga faktorë krejtësisht të ndryshëm. Analiza të ndryshme kohore, tregojnë se normat e interesit për depozita e kredi në lekë, reagojnë më shumë ndaj ndryshimeve në normat e interesit të bonove të thesarit. Interesat e bonove të thesarit varen më së shumti nga kërkesë-oferta në këtë treg.
Interesat e kredive në valutë varen nga kostoja oportune që kanë bankat për t’i investuar ato para në vende të tjera, si dhe nga vetë kërkesë-oferta në treg. Për shkak se 70% e kredive jepen në valutë, politika monetare ka fare pak ndikim në këtë segment. Në një shkrim të publikuar disa kohë më parë, “The Economist” vërente se në të gjitha tregjet ku bankat e huaja zënë pjesën dërrmues të tregut, bankat qendrore nuk kanë asgjë në dorë. “The Economist” merrte si shembull Shqipërinë, ku 94% e aseteve të sistemit bankar janë nën pronësi të huaj.
Politika monetare është biznesi më i madh i vendeve të pavarura që kanë të drejtë të emetojnë paranë e tyre. Pasojat e mos kontrollit të politikës monetare janë dramatike në mirëqenien e shtetasve të një vendi.