E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diell me naze në bregdet, vranësira në Alpe

 

Për ata që kanë zgjedhur bregdetin, temperaturat dhurojnë mot të nxehtë nga Shëngjini në Sarandë, kurse për ata që zgjedhin t’i shijojnë ditët në verilindje dhe juglindje, të shtunën dhe të dielën, moti do të jetë i paqëndrueshëm, tek-tuk me shira lokalë

Kush ka ndërmend të bëjë pushime në plazh, o burra të nxitojë, pasi kurrë nuk i dihet. Lajmet nga shërbimi i Sinoptikës për ditët në vazhdim janë të mira, të paktën për vijën bregdetare. Të shtunën dhe të dielën, temperaturat parashikohen të jenë nën 30 gradë celsius, por pa panik, pasi dielli do të jetë i bollshëm për të nxirë lëkurën. Qytetet më të nxehta, edhe për këtë fundjavë do të jenë ato bregdetare, ku temperaturat më të larta do të shënohen në bregdetin e Vlorës dhe Sarandës. Pasqyra e mësipërme e sinoptikës është për plazhistët. Për adhuruesit e malit, për fat të keq, lajmet nuk janë edhe aq të mira. Për këtë kategori të pasionuarish, mirë është të marrin, krahas pajimeve, edhe ndonjë çadër.

Durrës

Ditën e sotme, në Durrës, dielli do të rrëzëllejë gëzueshëm që herët në mëngjes. Në orën 8:00, temperatura do të jetë 25 gradë celsius. Mirë është që të mos zhyteni direkt në det. Një kafe në freskun e mëngjesit në Adriatik, do të ishte këndshëm. Temperatura më e lartë në bregdetin e Durrësit do të shënohet në orën 14:00, ku zhiva kalon në 30 gradë celsius. Këshillohet që në këtë orar lëvizjet nga shezlongu, sidomos për të moshuarit, të jenë sa më të pakta. E premtja në mbrëmje do të shënojë ulje të temperaturave, por jo aq sa për t’u frikësuar. Të shtunën do të kemi rritje të temperaturave. Në mëngjes, termometri do të shënojë 27 gradë celsius, ndërsa në mesditë 32 gradë, mjaftueshëm për t’i shkelur syrin detit. Temperaturat, për ata që zgjedhin Durrësin si destinacion turistik, do të vazhdojnë të jenë dashamirëse edhe ditën e diel, ku më e larta do të shënohet sërish në mesditë, me 32 gradë celsius.

Vlorë-Sarandë

Moti, ditën e sotme, në Vlorë dhe Sarandë do të jetë në krah të turistëve. Në mëngjes, temperatura do të jetë 23 gradë celsius, ndërsa në mesditë nuk do t’i kalojë 30 gradë. Mbrëmja në Vlorë do të shënojë një ulje të lehtë të temperaturave. Pika më e ftohtë, për ata që kanë vendosur të kalojnë Orikumin, është Qafa e Llogarasë. Kush ka vendosur të kalojë një mbrëmje të këndshme në këtë pikë turistike, bën mirë të marrë me vete xhaketën ose bluzë me mëngë të gjata. E shtuna në mëngjes, do të ofrojë temperatura edhe më të larta për pushuesit në brigjet e Vlorës. Në orën 8:00, termometri do të ndalet në 26 gradë celsius, në orën 14:00 në 32 gradë, ndërsa në mbrëmje 30 gradë. Të dielën, pushuesit duhet të kënaqen me lajmet e vjetra të mbërritura nga Sinoptika: temperatura të pandryshueshme, mot i kthjellët dhe sigurisht, diell me shumicë.

Velipojë-Shëngjin

Aksi verior i turizmit bregdetar, dhuron mot të ngrohtë për fundjavën e dytë të gushtit. Të premten në mëngjes, termometri shënon 26 gradë celsius, ndërsa në drekë, dielli do të përvëlojë si saç, me plot 33 gradë. Të shtunën, temperaturat në Shëngjin dhe Velipojë do të jenë më të ulëta. Mëngjesi do të paraqitet si ngahera i freskët, kurse në mesditë, temperatura më e lartë do të jetë 32 gradë celsius. Ndryshim të temperaturave do të kemi ditën e fundit të javës. Moti të dielën në brigjet veriore do jetë më i nxehtë se zakonisht, por gjithmonë në kufijtë e parashikuar.

Verilindje-Juglindje

Për ata që fundjavën dëshirojnë ta kalojnë në Alpe, apo në Voskopojë, këshilla është të vishen mirë, sigurisht jo mbërthyer me pallto, por të paktën mirë do të ishte ta mbanin një bluzë me mëngë të gjata me vete. Në Verlindje, temperaturat këtë fundjavë do të rrotullohen në 20 gradë, ku nuk do të mungojën edhe shirat lokalë. Po kështu edhe në Juglindje, në zonën e Korçës, moti do të jetë i paqëndrueshëm, me vranësira lokale. Për ata që kanë vendosur të kalojnë ditët e fundjavës jo në plazh, por në mal, dielli në Verilindje dhe Juglindje do të shkëlqejë vetëm ditën e sotme, ndërsanë ditët në vazhdim, moti do të bëjë naze sipas oreksit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›