E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, ja dokumentet për të ardhur nga Italia

 

Ministria e Brendshme Italiane ka dhënë leje për të gjithë emigrantët nga 1 gushti deri në 31 janar 2009

TIRANË - Të gjithë shtetasit shqiptarë emigrantë në Itali që dëshirojnë të kalojnë pushimet e tyre në vendlindje, mund ta bëjnë këtë gjë vetëm duke u pajisur me disa dokumente të thjeshta. Këtë herë leja është vlefshme deri në 31 janar të vitit 2009, por me kusht që hyrje- daljet të bëhen nga e njëjta pikë kufitare dhe të mos kalohet në vendet e tjera të BE-së.

Ambasada Italiane në Tiranë njofton se Ministria e Brendshme Italiane arriti të fitojë nga Këshilli dhe Komisioni i Bashkimit Europian, krijimin e lehtësimeve për të lejuar tranzitin në Shtetet Anëtare të BE-së. “Ky lehtësim është i vlefshëm nga 1 Gushti 2008 deri më 31 Janar 2009 dhe do të aplikohet vetëm për qytetarët e huaj që në ardhje nga Italia, apo të drejtuar drejt Italisë zotërojnë, në momentin e tranzitit në zonën Shengen, dokumentet që vijojnë: kuponin e lëshuar nga Posta Italiane S.P.A., që vërteton paraqitjen e kërkesës për rinovimin e lejes së qëndrimit; pasaportë në periudhë vlefshmërie; lejen e qëndrimit të skaduar”,- thuhet në komunikatën e Ambasadës Italiane në Tiranë. Sipas këtij njoftimi, shtetasit e huaj që janë në pritje të lëshimit për herë të parë të lejes së qëndrimit për punësim, për punë të pavarur ose për bashkim familjar, mjafton që të respektohen disa kushte që Këshilli Europian ka vendosur dhe ata mund të kthehen në vendlindjen e tyre pa qenë e nevojshme për një vizë rihyrjeje. Kushtet që ata duhet të plotësojnë, janë: dalja dhe rihyrja në Itali, të bëhet nga e njëjta pikë kufitare; udhëtimi të mos parashikojë tranzit nëpër vendet e tjera Shengen; i huaji të paraqesë pasaportën bashkë me vizën e hyrjes, për të bërë të qartë arsyen e qëndrimit të tij dhe kuponin e Postave Italiane S.P.A., që vërteton kërkesën e bërë për lëshimin për herë të parë të lejes së qëndrimit. Dhe, së fundi, personeli i kontrolleve kufitare duhet të vulosë dokumentin e udhëtimit bashkë me kuponin, në momentin e daljes dhe të rihyrjes në Itali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›