E Shtunë, 31 Tetor 2026

16 qershor 2008

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miraton projektligjin Për sektorin e gazit natyror   Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 16 qershor 2008, përfundoi shqyrtimin  e projektligjit Për sektorin e gazit natyror.   Pas miratimit në parim të projektligjit, u vijua me shqyrtimin nen për nen të tij.
Gjatë shqyrtimit nen për nen u bënë disa vërejtje dhe  redaktime  për nene të  veçanta, të cilat  do të pasqyrohen në raportin e Komisionit për seancë plenare.   Në përfundim, Komisioni e votoi në tërësi projektligjin, me vërejtjet e bëra nga  deputetët gjatë shqyrtimit  nen për nen dhe u shpreh dakord për kalimin e tij për miratim në seancë plenare.  
Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton projektligjin  Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë dhe një ndryshim në ligjin Për akcizat.   Në mbledhjen e datës  16 qershor 2008, Komisioni për Ekonominë dhe Financat vazhdoi diskutimin nen për nen të projektligjit Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, si dhe mori në shqyrtim projektligjin Për një shtesë dhe ndryshim në ligjin nr.8976, datë 12.12.2002, Për akcizat, të ndryshuar.   Komisioni e ka diskutuar projektligjin Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë në pesë mbledhje, për vetë rëndësinë që ai ka për financat publike si dhe për volumin e tij. Në mbledhje kanë qenë të pranishëm Drejtoresha e Departamentit të Buxhetit në Ministrinë e Financave dhe staf i kësaj drejtorie, si dhe përfaqësuesi i DFID-it, i cili ka qenë pjesëtar i grupit të punës për hartimin e këtij projektligji.   Ky projektligj është rezultat i një pune disa vjeçare dhe intensive të Ministrisë së Financave, në bashkëpunim me konsulencën e specializuar të institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht të Qeverisë Britanike, nëpërmjet DFID-it. Gjithashtu, janë marrë komentet e Bankës së Shqipërisë, KLSH-së, FMN-së, BB-së, USAID-it, OSCE, SIGMA-s, Komisionit Europian, ambasadës hollandeze, etj. Krijimi i një ligji të ri erdhi nga nevoja për përmirësimin e procesit të menaxhimit të shpenzimeve publike, përmes mbështetjes buxhetore dhe për përafrimin e legjislacionit me acquis communautaire dhe me kodin e transparencës fiskale të FMN-së.   Disa nga të rejat që sjell ky projektligj janë: një lidhje më e mirë e buxhetit me politikat, përmes institucionalizimit të programit buxhetor afatmesëm; ndarje e qartë e përgjegjësive llogaridhënëse të aktorëve pjesmarrës në procesin e menaxhimit të shpenzimeve publike, e cila është një nga risitë themelore, duke synuar ndarjen e funksionve të politikbërjes së ushtruar nga ministri me funksionin e menaxhimit, si dhe me funksionet e mirëfillta të zbatimit të ushtruara nga nëpunësit zbatues; rregullimi i marrëdhënieve ndërqeveritare; hedhja e bazave të sistemit të kontrollit të brendshëm financiar publik; reflektimi i zhvillimeve të reja, përsa u përket standardeve ndërkombëtare statistikore dhe të kontabilitetit publik, etj.   Gjatë diskutimit të tij, deputetët bënë ndërhyrje në disa nene, por ai u vlerësua nga të gjithë si një nga projektligjet më të mirë të hartuar ndër vite, për rrjedhojë edhe ndërhyrjet e Komisionit ishin të pakta.   Komisioni e miratoi projektligjin me të gjitha votat pro të deputetëve të pranishëm.
Gjithashtu, Komisioni diskutoi edhe projektligjin Për një shtesë dhe ndryshim në ligjin nr.8976, datë 12.12.2002, Për akcizat, të ndryshuar, i cili bën një ndryshim në akcizën e naftës së peshkatarëve. Deri më sot, në vendin tonë është zbatuar rimbursimi i akcizës, i cili ka krijuar probleme në funksionim, duke bërë që kostoja e karburantit të jetë më e lartë se vendet e tjera fqinjë. Në kushtet e liberalizimit të tregut të prodhimeve të peshkut, çmimet shumë të larta të këtyre prodhimeve, në vendin tonë, do të favorizojnë importet, duke ulur ndjeshëm prodhimin vendas si dhe eksportet. Miratimi i këtij projektligji është një detyrim në kuadër të përafrimit të legjislacionit tonë me atë të BE-së, si dhe ndikon në përmirësimin e sektorit të peshkimit, duke garantuar të njëjtat kushte pune dhe zhvillimi në këto vende.
Impakti vjetor në buxhetin e shtetit do të jetë rreth 444 milionë lekë, impakt negativ, por ai do të kompensohet nga efektete pozitive të TVSH-së, tatim-fitimit dhe kontributetet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si rezultat i zgjerimit dhe zhvillimit të veprimtarive përfituese të peshkimit.   Komisioni e miratoi projektligjin me 15 vota pro dhe 1 abstenim.   (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin : +355 4 22 78 289.)   Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit
Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al ;
pressoffice@parlament.al ; info@parlament.al .

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›