E Shtunë, 31 Tetor 2026

17 qershor 2008


 
Komisioni për  Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik shqyrton disa shtesa në ligjin për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë   Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në mbledhjen e datës 17 qershor 2008 diskutoi projektligjin Për disa shtesa në ligjin nr. 8410, datë 30.9.1998 Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, i propozuar nga deputeti Safet Sula.
 
Pas debateve, Komisioni vendosi të kërkojë mendimin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në lidhje me përputhshmërinë e këtij projektligji me Kushtetutën dhe ligjet e pronësisë, që veprojnë në Republikën e Shqipërisë.   
Komisioni për Politikën e Jashtme dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare miraton dy kandidatura për ambasadorë rezidentë dhe jorezidentë
Komisioni për Politikën e Jashtme dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare u mblodh më datën 17 qershor 2008 në seancë dëgjimore, për shqyrtimin e dy kandidaturave për ambasador, të propozuara nga Ministri i Punëve të Jashtme, Lulëzim Basha dhe të miratuara nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë,  Sali Berisha.
Seanca dëgjimore u mblodh në mbështetje të Ligjit nr.9095 Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë. Kandidaturat e propozuara janë përkatësisht z. Ferit Hoxha, për postin e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork si dhe në Havanë (jo rezident) dhe z. Kujtim Xhani, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore Demokratike të Koresë, në Republikën e Koresë dhe në Republikën e Vietnamit, rezident në Tiranë.
Komisioni dëgjoi me vëmendje ekspozetë e bëra nga kandidatët e propozuar.
Në ndërhyrjen e tyre, antarët e Komisioni ngritën kryesisht pyetje lidhur me adaptimin për herë të parë të praktikës së re të ambasadorëve jo-rezidentë, praktikë kjo relativisht e re në marrëdhëniet diplomatike mes shteteve.
Nisur nga formimi i kandidatëve, përvoja e tyre e gjatë në shërbimin diplomatik si edhe nga përzgjedhja e tyre, antarët e Komisionit të Jashtëm u shprehën për kalimin e propozimeve për procedim të mëtejshëm, Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 87).  
Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton një projektligj dhe kundërshton një tjetër   Në mbledhjen e datës 17 qershor 2008, Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskutoi projektligjet:   1. Për një ndryshim në ligjin nr.8360, datë 10.6.1998, Për kriteret dhe mënyrën e shpërndarjes së pasurisë të personave juridikë, jo bankarë, që kanë marrë hua nga publiku i gjerë;
2. Për një shtesë në ligjin nr.8685, datë 9.11.2000, Për trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë, të ndryshuar, (grup deputetësh).   Ligji Për kriteret dhe mënyrën e shpërndarjes së pasurisë të personave juridikë, jo bankarë, që kanë marrë hua nga publiku i gjerë, ngarkon degët në rrethe të Bankës së Kursimeve dhe Bankës Kombëtare Tregtare për të kryer shpërndarjen e vlerave pasurore secilit kreditor të shoqërive huamarrëse, por BKT ofron norma interesi për fondet e depozituara më të ulëta në krahasim me bankat e tjera dhe komisione bankare të larta për shërbimin e kryerjes së pagesës.  Projektligji i propozuar, ofron mundësinë e përzgjedhjes së bankës që do të menaxhojë fondet e depozituara dhe do tua shpërndajë ato kreditorëve. Ai ngarkon Grupin Mbikëqyrës që, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, të përzgjedhë bankën që ofron interesa më të larta për kapitalet e depozituara nga kreditorët, komisione bankare më të ulëta, shtrirje territoriale më të gjerë dhe garanci bankare më të mëdha.   Komisioni ishte i mendimit se procedura e re e propozuar për përzgjedhjen e bankës që do tu shpërndajë vlerat pasurore kreditorëve është më efektive dhe do të krijojë mundësinë për sigurimin e interesit më të lartë për depozitat bankare dhe reduktimin e shërbimit për komisionet bankare. Për këtë arsye, ai e miratoi projektligjin, me një ndryshim, me të gjitha votat e deputetëve të pranishëm në mbledhje. 
Projektligji i dytë, nismë e një grupi deputetësh, propozon që masa e përfitimit të personave që kanë punuar në miniera, për më pak se 11 vjet e gjysëm dhe kanë periudhë sigurimi jo më pak se 23 vjet, kur nuk ushtrojnë veprimtari ekonomike, të mos jetë më e vogël se pensioni bazë i pleqërisë në qytet. Kjo masë përfitimi tani është afër 6000 lekë në muaj dhe numri i përfituesve pakësohet çdo vit. Fatura financiare e këtij projektligji llogaritet rreth 100 milionë lekë në vit.   Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave u shpreh kundër projektligjit, me argumentin se me këtë ndërhyrje prishet skema e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe se ai barazon masën e pensionit të minatorëve me atë të pensionit të pleqërisë, pavarësisht se periudha e sigurimit është e ndryshme dhe mosha e daljes në pension të minatorëve është një moshë aktive për punë. Komisioni kërkoi që Ministria e Financave në bashkëpunim me Institutin e Sigurimeve Shoqërore të punojnë për përmirësimin e skemës së pensioneve.
Komisioni nuk e miratoi projektligjin me 8 vota kundër dhe 4 pro të opozitës.
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin : +355 4 22 78 289.)    

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›