16 vite burg për Fatjon Çollaku, i akuzuar për “Vrasje me dashje”

Pas shtatë muajsh seancash gjyqësore, që nga shtatori i vitit të kaluar ka përfunduar çështja penale në ngarkim të shtetasit Fatjon Çollaku, banor i qytetit të Elbasanit, me banim të përkohshëm në Ksamil. 16 vite burg ka vendosur trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Elidon Papazisi për të pandehurin Fatjon Çollaku, i akuzuar për veprën penale " Vrasje me dashje" pasi në 13 shtator të 2010 ky shtetas pas një grindjeje ka goditur me një mjet të mprehtë në pjesën e qafës dhe të shpatullave, 32 vjeçarin Tonin Qendro, duke e plagosur atë rëndë, duke humbur jetën ky i fundit në spitalin e qytetit të Sarandës.
Ngjarja ka ndodhur në 13 shtator të 2010 në orën 23.30 në Ksamil. Në spitalin e qytetit të Sarandës ka shkuar shtetasi Tonin Qendro i plagosur në gjendje të rëndë. Megjithë ndihmën e parë mjekësore ky shtetas nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë në mjediset e spitalit. Nga hetimet është identifikuar si autor i kësaj vrasjeje Fatjon Çollaku, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes për t`u kapur nga policia 30 orë më vonë në Patos. Autori ka treguar se ngjarja ka ndodhur për motive të banale. Grindja mes viktimës dhe autorit të krimit, nisi në një lokal në afërsi të qendrës në Ksamil. Shkak është bërë ora në dorën e autorit ku viktima i është drejtuar duke i thënë se ishte e tija ndërsa është mohuar nga autori. Kjo ka cuar në grindje me shishe birre për të përfunduar me përdorimin e thikës nga autori.