Avokati: Ja pse procedimi i Metës është mbyllur ligjërisht më 14 shkurt
Avokati Gëzim Veleshnja shpjegon tre arsyet pse çështja e video-përgjimit Meta-Prifti duhej të ishte mbyllur nga Prokuroria. “Përgjigjia e dytë e ekspertit amerikan tregon se videoja është e patranskriptueshme, eksperti anglez i përket një kompanie private dhe jo Policisë Shkencore Britanike, siç pretendon Prokuroria, hetime të paligjshme, gjatë kohës që Meta kishte imunitet”
Intervistoi: Leonard Bakillari
Gjykata e Lartë, nëpërmjet shortit elektronik caktoi dje 5 gjyqtarët që do të gjykojnë kërkesën e avokatëve të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, në betejën ligjore të saponisur me Prokurorinë e Përgjithshme. Shpallja e pavlefshmërisë së provave të mbledhura nga Prokuroria është objekti i kërkesës që avokatët Gëzim Veleshnja dhe Petrit Serjani dorëzuan pranë kësaj gjykate, e që tashmë do të ketë si relator gjyqtarin Mehdi Bici. Por cilat janë argumentat ligjorë dhe kontestimet e avokatëve të Ilir Metës ndaj hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme? Avokati Gëzim Veleshnja pohon në një intervistë për MAPO-n se ligjërisht, afati i procedimit për Ilir Metën ka marrë fund me dt.14.2.2011, kur ka ardhur përgjigja e dytë e ekspertit amerikan, Glen Brand, sipas së cilës videoja është e patranskriptueshme, e padëgjueshme dhe e deshifrueshme.
Avokati i njohur hedh dritë mbi disa vendime të kontestueshme të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilën e akuzon për shkelje të ligjit, për mënyrën se si ka siguruar provat për këtë çështje.
Zoti Veleshnja, ju keni depozituar në Gjykatën e Lartë një kërkesë për kundërshtimin e vendimit të Prokurorisë rreth caktimit të ekspertit amerikan, që ekspertoi videon Meta-Prifti. Më konkretisht çfarë kundërshtoni? Sipas jush, cilat janë shkeljet e prokurorisë në këtë vendim?
Në fillim të muajt mars të këtij viti i kemi kërkuar organit të akuzës të deklarojë të papërdorshme të gjitha provat materiale që janë depozituar pranë këtij organi në lidhje me çështjen e të mbrojturit prej meje dhe avokat Petrit Serjani, të cilat janë një DVD e bllokuar në redaksinë e emisionit Fiks Fare, një Lap Top të markës Dell, një USB me argumentin se mënyra e marrjes së këtyre provave materiale bie në kundërshtim me ligjin. Më datën 8 mars, prokurorja Anila Leka na ka kthyer përgjigje duke thënë se kërkesa jonë nuk merret në konsideratë, pasi është bërë në kundërshtim me ligjin. Mbi bazën e kësaj përgjigje, duke pretenduar ne se të gjitha provat e mësipërme janë marrë nga Prokuroria në kundërshtim me ligjin i jemi drejtuar Gjykatës së Lartë për ta konstatuar këtë fakt, sepse janë disa kërkesa rradhazi të bëra nga ana e mbrojtes dhe pergjigjet nga ana e organit të akuzes kanë qenë negative. Ky është dhe thelbi i kësaj kërkese, e cila ka si objekt shfuqizimin e vendimit të prokurores Anila Leka, si dhe konstatimin dhe deklarimin të papërdorshëm të të gjitha provave materiale që janë grumbulluar nga organi i akuzës, në kuadër të këtij hetimi. Njëkohësisht i kemi kërkuar Gjykatës së Lartë të deklarojë të papërdorshëm dhe vendimin për kryerjen e aktit të ekspertimit dhe vetë aktin e ekspertimit teknik të quajtur “Raport përfundimtar” datë 27.01.2011 i teknicienit raportues, Glen Brand, shtetas amerikan. Si bazë ligjore për këtë kërkesë kemi përdorur nenet 42, 32/2, 35/4 dhe 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në nenin 42 të Kushtetutës garantohet e drejta e çdo individi për një proces të rregullt gjyqësor nga një gjykatë e pavaruar. Në rastin konkret ne pretendojmë se veprimet e organit të akuzës vijnë në kundërshtim me ligjin dhe për këtë arsye nuk garantohet e drejta për një procesi gjyqësor të rregullt e të pavarur. Në nenin 32/2 i Kushtetuës thuhet se: “askush nuk mund të deklarohet fajtor mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme”, siç ka ndodhur në fakt në rastin konkret, dhe neni 35/4 i Kushtetutës, thotë se: “kushdo ka të drejtë të kërkojë ndreqjen dhe fshirjen e të dhënave të pavërteta ose të paplota, ose të mbledhura në kundërshtim me ligjin”. E gjithë kjo bazë ligjore mbështesim pretendimin tonë se këto të dhëna të mbledhura në mënyrë të paligjshme duhet të mos përdoren gjatë një procesi gjyqësor, pjesë e të cilit është edhe faza e hetimeve paraprake . Njëkohësisht ne e mbështesim këtë kërkesë edhe në disa vendime të Gjykatës Kushtetuese, të cilat i kanë dhënë zgjidhje të cilat e kanë zgjidhur procedurialisht këtë moment.
Një nga çështjet që kontestoni është edhe akt-ekspertimi i ekspertit amerikan. Sipas jush, çfarë problemesh ka ky akt-ekspertimi, pretendoni se ka shkelje ligjore?
Procedimi penal ndaj të mbrojturit prej meje, Ilir Meta ka filluar në datën 12 janar të vitit 2011, menjëherë pas publikimit në një stacion televiziv të një video të regjistruar nga shtetasi Dritan Prifti. Veprimet e para hetimore, fillimisht janë kryer nga Prokuroria e Rrethit gjyqësor Tiranë. Për shkak se kjo Prokurori ka konstatuar se nuk është kompetente për hetimin e kësaj çështje, pasi në këtë video dukeshin dy persona me imunitet, Ilir Meta dhe Dritan Prifti e ka kaluar çështjen për kompetencë në Prokurorinë e Përgjithshme, në datën 24.01.2011. Prokuroria e Përgjithshme më pas ka regjistruar procedimin penal nr. 1 që bën fjalë për veprën penale të korrupsionit aktiv dhe vepra të tjera penale që sipas tyre kanë rezultuar nga kjo video. Menjëherë pasi mësuam në media nisjen e këtij procedimi penal i kemi kërkuar organit të akuzës që Ilir Meta të bëhet pjesë e këtij procesi, pasi sikurse dihet ai ka dhënë dorëheqje nga të gjitha postet shtetërore që ka ushtruar deri në atë moment për ta lejuar organin e akuzës të kryejë veprimtarinë hetimore në mënyrë sa më normale dhe pa u ndikuar nga pozita e tij në shtet. Megjithëse kemi bërë këtë kërkesë, megjithëse organi i akuzës na ka pyetur dhe kemi dhënë deklarime lidhur me këtë çështje, përsa i përket pjesës procedurale të procesit, asnjëherë organi i akuzës nuk na ka bërë pjesë të procesit. Në këtë kuadër është edhe kërkesa që Prokuroria i ka drejtuar ekspertit amerikan Glen Brand, i cili ka bërë ekspertimin teknik të videos. Nëpërmjet aktit të ekspertimit datë 27.01.2011 eksperti amerikan ka deklaruar se nuk ishte në gjendje të pastronte segmentet audio dhe video me pajisjet që ai pati në dispozicion. Pra, ai nuk ishte në gjendje të zgjidhte problemin me të rëndësishëm që në rastin tonë ishte dialogu i zhvilluar mes bashkëbisedueve që paraqiteshin në video, dhe konkluzioni i vetëm i saktë i tij është fakti që personat që janë në video janë të patjetërsueshëm. Asnjëherë nga i mbrojturi prej meje nuk është kontestuar ky fakt. Ajo që ka kontestuar i mbrojturi prej meje dhe mbrojta e tij është manipulimi dhe vënia në gojë të z. Ilir Meta të disa fjalive, të cilat nuk janë përdorur prej tij gjatë atij bashkëbisedimi, por janë konkluzion i realizuesve të videos. Sipas ligjit, ekspertimi bëhet me vendim të organit të akuzës dhe menjëherë pas këtij vendimi të ekspertimit, personi i cili do të bëjë ekspertimin, duhet që të ketë disa garanci . Ai duhet që të garantojë organin e akuzës se nuk ka konflikt interesi në lidhje me procedimin për të cilin do të bëjë ekspertimin. Njëkohësisht, ligji i njeh të drejtën personit, i cili është drejtpërdrejt i prekur nga ky ekspertim të bëjë pyetje për ekspertin, të kërkojë përjashtimin e tij, të marrë pjesë vetë apo nëpërmjet mbrojtës apo ndonjë eksperti të tij në ekspertim, me qëllim që ky veprim procedurial të jetë sa më objektiv për të ndihmuar zgjidhjen e drejtë të çështjes. Ne asnjëherë nuk jemi vënë në dijeni të këtij fakti. Ligjvënësi shqiptar, rastin e përjashtimit të ekspertit e ka barazuar me rastin e përjashtimit të gjyqtarit, çka tregon se përfundimet që jep një ekspert janë shumë domethënëse në një proces hetimor dhe gjyqësor. Pra, barazimi i mënyrës se si përjashtohet një ekspert me rastin e përjashtimit të një gjyqtari tregon rëndësinë e madhe të ketij momenti kyç të procesit. Megjithë këto kufizime, nga ana e akuzës neve nuk na është bërë asgjë e ditur. Ne nuk dinim kush është eksperti Glenn Brand që ka bërë ekspertimin. Ne nuk dinim aftësitë e tij intelektuale dhe profesionale. Ne nuk ishim në dijeni nëse ai kishte ndonjë konflikt interesi në vendin tonë , apo shkak për përjashtimin e tij nga detyra e ekspertit dhe të gjitha këto veprime, janë bërë në fshehtësi nga ana e organit të akuzës. Nga mediat kemi mësuar që ishte nisur materiali për ekspertim. I kemi kërkuar organit të akuzës të na bënte pjesë të këtij procesi për të na dhënë kështu të drejtën që t’i drejtonim këtij eksperi disa pyetje me qëllim zbardhjen e të vërtetës. Kjo e drejtë na është mohuar nga Prokuroria, duke na thënë se emri personit qe ju mbroni nuk është shënuar në regjistrat e procedimeve penale. Megjithatë eksperti amerikan ka thënë se video e transmetuar në emisionin “Fiks Fare” nuk është e plotë, ndërsa nuk ka qenë në gjendje të pastrojë audion e regjistrimit të gjendur në kompjuter.
Pas kësaj përgjigje, cili ka qenë qëndrimi i prokurorisë, çfarë keni mundur të mësoni nga kontaktet që keni pasur me prokurorët për këtë çështje?
Në datën 11.02.2011 mbi bazën e konkluzioneve të ekspertit amerikan, organi i akuzës i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë t’i jepte autorizimin për ndjekjen penale ndaj deputetit Ilir Meta. Më datën 16 shkurt Kuvendi i Shqipërisë i ka hequr imunitetin deputetit Ilir Meta, duke i dhënë autorizimin për ndjekje penale Prokurorisë së Përgjithshme. Rastësisht, vetëm para pak ditësh kemi mësuar se gati 40 ditë më parë, pranë organit të akuzës ka ardhur edhe një shtesë e aktit të ekspertimit teknik të bërë nga eksperti Glenn Brand dhe që mban datën 14 shkurt të këtij viti. Në këtë shtesë të aktit të ekspertimit, ky ekspert deklaron se ai megjithëse është munduar, nuk ka arritur që të pastrojë audion, si rezultat i cilësisë së dobët të mikrofonit të përdorur për këtë regjistrim. Pra sipas konkluzioneve të këtij eksperti, audio e regjistrimit ishte e padeshifrueshme, e pakuptueshme dhe e padëgjueshme, ç’ka tregon se organi i akuzes nuk ka asnjë provë për vazhdimin e mëtejshëm të këtij procedimi, në ngarkim të z.Ilir Meta dhe se gjithçka është transmetuar në emisione televizive është imagjinatë e personave që e kanë realizuar këtë video.
E megjithatë, prokuroria ka vendosur të bëjë një ekspertim të dytë me qëllim pastrimin e segmentit audio, të cilin ju sërish e keni kundërshtuar….
Përfaqësuesi i akuzës na thirri dhe na komunikoi vendimin për kryerjen e një ekspertimi që lidhet me pastrimin e audios dhe për këtë ekspertim kishte zgjedhur një ekspert anglez të quajtur Adrian Phillips. Nëpërmjet vendimit përfaqësuesja e akuzës ka pretenduar se ishte e nevojshme kryerja e këtij ekspertimi nga specialistët përkatës me njohur të posaçme në fushën teknike, si dhe përdorimi i sistemeve cilësore e profesionale të pastrimit të cilat disponohen, e theksoj disponohen nga shërbimi i policisë shkencore të Britanisë së Madhe. Çuditërisht rezulton që shtetasi anglez Adrian Phillips është specialist në fushën e audios pranë një kompanie private dhe nuk është sikurse pretendon akuza pjesë e shërbimit të policisë shkencore të Britanisë së Madhe. Në fakt, ne na bënë të dyshojme sepse përsëritja e ekspertimit audio të regjistrimit bëhet me tendencë. Ne e kemi kundërshtuar nëpërmjet një memoje të depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme më datën 24 mars, këtë veprim, pasi bie në kundërshtim me shumë dispozita ligjore që funksionojnë në Shqipëri, por edhe me Konventën Europiane të ndihmës së ndërsjelltë në fushën penale, ratifikuar nga nga Shqipëria në vitin 1999. Fakti që akuza mëjanon në kryerjen e këtij veprimi rrugët institucionale d.m.th rrugët ligjore të përcaktuara nga ligji për ndihmën e ndërsjelltë juridike, që detyron Prokurorinë të dërgojë kërkesën pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe ministra jonë e drejtësisë ja kalon autoriteteve homologe në vendin ku është eksperti dhe është kjo Ministri që ia kalon më pas ekspertit këtë kërkesë, duke e paralajmëruar atë për përgjegjësinë që ka për kryerjen sa më të saktë të këtij veprimi. Fakti që akuza i përjashton këto rrugë, na lindin dyshime se për zgjidhjen e kësaj çështje nuk po veprohet në zbatim të ligjit. Këtë pretendim e mbeshtesim edhe në faktin se eksperti që thirret në rrugë ekstra- proceduriale, nuk mund të mbajë përgjegjësi penale, sikurse eksperti i thirrur në rrugë proceduriale. Eksperti i huaj, si shtetas i tillë, referuar nenit 7 të Kodit Penal nuk mban përgjegjësi për vepren penale të “Ekspertimit të rremë”, të parashikuar nga 309 i K.Penal. Këtë dispozitë, ligjvënësi e ka vendosur si garanci që ekspertët, edhe për shkak të rëndësisë së madhe që kanë në proces, të jenë nën monitorimin e ligjit penal. Nëse do të ndiqet rruga institucionale, pra këto veprime të bëhen nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, betimin eksperti i huaj do ta bëjë përpara institucioneve gjyqësore të shtetit të tij dhe përgjegjësia në këtë rast do të jetë më e madhe.
Si palë mbrojtëse, Prokuroria ju ka vënë në dijeni për mënyrën se si është përzgjedhur ky ekspert?
Jo, ne nuk kemi asnjë dijeni për mënyrën e përzgjedhjes së këtij eksperti. Ne dimë që ky ekspert sipas akuzës do të bëjë pastrimin e audios së regjistrimit. Prokurorja na ka thënë që ky ekspert është përfaqësues i policisë shkencore të Britanisë së Madhe, por në fakt, sipas vendimit të prokurorisë, ai rezulton të jetë specialist audio pranë një kompanie private. Ky fakt mund të konstatohet lehtësisht në paragrafin e parfundit të vendimit për kryerjen e ekspertimit teknik dhe caktimin e ekspertit dhe në pikën e parë të këtij vendimi, të cilat bien në kundërshtim me njëra-tjetrën.
Nga sa jeni në dijeni, në çfazë është hetimi për këtë procedim penal, pasi prokuroria ka thirrur disa persona të cilët janë pyetur në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni?
Prokuroria ka kryer një volum të madh pune ne lidhje me këtë procedim penal. Për shkak të specifikës që ka kjo si çështje dhe për shkak të faktit që video dhe gjithë materiali tjetër i grumbulluar, u dërgua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kryerjen e ekspertimit teknik, sigurisht që do ta zvarriste pak këtë çështjen. Por kur përgjigja përfundimtare dhe e qartë ka ardhur me dt.14.2.2011, mendoj se mbajtja në dorë e këtij procedimi është e pajustifikuar, megjithese janë pyetur shumë persona. Megjithë se janë kryer shumë veprime hetimore, siç është pyetja e shumë personave, në këtë procedim, në raport me të mbrojturin prej meje, organi i akuzës ka shkelur ligjin procedurial penal në të gjitha drejtimet. Përfundimi i aktit të ekspertimit në Amerikë nga eksperti i caktuar nga akuza dhe ripërsëritja e ekspertimit, tregon se nga përfaqësuesit e organit të akuzës ka tendencë për t’i dhënë një zgjidhje që ata dëshirojnë kësaj çështje. Ligjërisht, afati i këtij procedimi për të mbrojturin prej meje, Ilir Meta ka marrë fund me dt.14.2.2011, kur ka ardhur përgjigja e dytë nga Amerika. Në lidhje me ecurine e ketij procedimi dua që të them se kjo çështje do të zgjidhet ashtu siç diktojnë provat dhe nuk varet nga dëshira e askujt. Dua të shtoj edhe një fakt tjetër. Eksperti duhet të kryejë ekspertimin mbi objekte orgjinale, mbi prova orgjinale. Provat që prokuroria i dërgoi ekspertit amerikan nuk janë orgjinale. Nga Shqipëria janë nisur fotokopje të provës orgjinale. Objekti, i cili ka kryer përgjimin që quhet prova orgjinale, nuk është në rrethin e objekteve të sekuestruara dhe bllokuara nga ana e organit të akuzës. Në SHBA është çuar një Lap Top, i cili e ka të prejardhur videon, një USB dhe një orë tavoline. Në orën e tavolinës me të cilën pretendohet se është bërë filmimi nuk ka pjesë video dhe audio të kësaj bisede. Prova sipas Kodit të Procedurës Penale është ajo provë që ka gjurmë, pra objekti që ka realuzuar këtë video, jo Lap Topi apo CD ku mund të jetë hedhur video. Këto janë të gjitha fotokopje të provës orgjinale dhe ekspertimet bëhen mbi dokumente orgjinale dhe jo mbi fotokopje siç është bërë në rastion konkret. Edhe ekspertit anglez, organi i akuzës të njëjtin material po i çonte, siç edhe ia dërgoi ekspertit amerikan dhe nëse ai nuk do të jetë i ndikuar nga ndonjë faktor i mundshëm, do të japë shkencërisht të njëjtën përgjigje që ka dhënë edhe eksperti amerikan që e theksoj, është zgjedhur nga vetë organi i akuzës.
Ju pohuat që Prokuroria ka kryer një sërë veprimesh hetimore për këtë çështje, duke pyetur edhe persona të ndryshëm. Mund të kryhen këto veprime, pa u sqaruar ende ajo për të cilën po hetohet?
Kjo pjesë është mjaft e rëndësishme, pasi që të pyesësh disa persona, duhet të ekzistojë vepra penale. Në rastion konkret unë mendoj se kryerja e këtyre veprimeve hetimore pas përgjigjes së dytë të ekspertit amerikan, i cili thotë se nuk është në gjendje të pastrojë audion, të gjitha veprimet e prokurorsë janë pothuajse pa asnjë lloj vlere juridike. Këto veprime vetëm kanë cënuar interesat dhe privacinë e të mbrojturit prej meje dhe të gjithë atyre që janë thirrur prej organit të akuzës. Por pararendëse të të gjitha këtyre veprimeve të prokurorisë mund të cilësohen veprimet hetimore që akuza ka bërë gjatë kohës që i mbrojturi prej meje ishte ende me imunitet. Procedimi penal për këtë çështje ka filluar në datën 11 janar 2011. Menjëherë organi i akuzës në rreth ka konstatuar se nuk është ai kompetet, duke e dërguar çështjen në Prokurorinë e Përgjithshme. Ky fakt tregon se përfaqësuesit e Prokurorisë së Rrethit Tiranë kanë konstatuar se kishin të bënin me dy persona që kishin një status të veçantë në marrëdhënie me organin e akuzës, pra duhej një leje e posaçme për hetimin e tyre. Ky fakt që detyron këtë organ të heqi dorë nga hetimi dhe tia kalojë Prokurorisë së Përgjithshme këtë procedim, tregon se përfaqësuesit e akuzës qëndrore nuk ishin në pa dijeni se ndaj kujt po hetonin. Ata janë në dijeni të plotë të personave që ishin në video. Të gjitha veprimet hetimore që janë bërë nga data 12.01.2011 deri më datën 16.02.2011 kur është dhënë autorizimi për ndjekjen penale nga Kuvendi i Shqipërisë, janë veprime apsolutisht të pavlefshme sepse ligji penal nuk lejon kryerjen e hetimeve ndaj personave të veshur me imunitet.
27 janari 2011
Eksperti amerikan, Glen Brand dorëzon në Prokurorinë e Përgjithshme akt-ekspertimin për video-përgjimin mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit. Në raport eksperti shkruan se dy personat që shfaqen në video janë të patjetërsueshëm, por nuk mund të pastrojë audion e bisedës mes tyre. Të njëjtën përgjigje eksperti ka dhënë edhe më 14 shkurt, duke dërguar në Prokuroi një shtesë mbi ekspertimin e parë, ku thotë se mikrofoni i pajisjes regjistruese është i cilësisë së dobët dhe për këtë arsye nuk mund të pastrohet audio
Mars 2011
Dy avokatët e ish-zv.kryeministrit Ilir Meta i kërkojnë Gjykatës së Lartë të shpallë të papërdorshëm provat që prokuroria ka mbledhur gjatë kohës që i mbrojturi prej tyre ka gëzuar imunitet si deputeti i Kuvendit të Shqipërisë. Gjithashtu avokatët kërkuan shfuqizimin e vendimit të prokurores Anila Leka për caktim eksperti dhe kryerjen e ekspertimit teknik të video përgjimit. Sipas avokatëve provat janë marrë në kundërshtim me ligjin, ndërsa akt-eskpertimi është kryer dyke anashkaluar procedurën.
21 mars 2011
Prokuroria e Përgjithshme merr vendim për të kryer një ekspertim të dytë për videon Meta-Prifti. Këtë radhë caktohet një ekspert anglez për pastrimin e audios së segmentit të videos, për të cilin ekepserti amerikan është shprehur se e ka pasur të pamundur të kryej këtë pastrim. Prokuroria argumenton se pajisjet për kryejen e këtij procesi disponohen nga Policia Shkencore e Britanisë së Madhe, ndërsa eksperti rezulton të jetë specialist për audion në një kompani private dhe jo efektiv i Policisë Shkencore.