Aldo Bare, përjetë në burg për pesë vrasje
Gjykata e Krimeve të Rënda dënon kreun e Bandës së Lushnjes edhe me 146 vjet burg. Aldo Bare pret i qetë vendimin, avokati: Do të apelojmë
Tiranë Asnjë reagim, batutë apo kërcënim. Aldo Bare e ka pritur fare i qetë dënimin me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për pesë vrasje dhe një sërë akuzash të tjera. Me një vendim voluminoz në duar, që i kalonte të 100 faqet, kryetarja e trupit gjykues, Fatmira Hajdari ka lexuar vetëm akuzat që rëndojnë mbi Aldo Baren dhe dënimet përkatëse, duke i dhënë kreut të bandës së Lushnjes një burgim të përjetshëm dhe 146 vjet burg për vrasjet, atentatet, krijimin e organizatës kriminale dhe mbajtjen pa leje të armatimeve luftarake. Në bashkim të dënimeve, Aldo Bare do të qëndrojë përjetë pas hekurave të qelisë, duke e mbyllur kështu sagën e hetimeve nga drejtësia shqiptare. Megjithatë, beteja e tij me drejtësinë nuk përfundon këtu. Avokati i Aldo Bares, Vladimir Meçi, ka pohuar dje se çështjen do ta dërgojë në Apel, e më pas edhe në Gjykatën e Lartë, duke e cilësuar vendimin e djeshëm si të padrejtë. Sipas vendimit të lexuar dje nga gjyqtarja Hajdari, Aldo Bare është dënuar me 23 vjet burg për vrasjen e Genci Kasharit dhe vrasjen e mbetur në tentativë të armikut të tij kryesor, Artur Dajës. Në dosjen voluminoze të Prokurorisë për Krimet e Rënda, kreu i bandës së Lushnjes akuzohej edhe për ekzekutimin e Artur Dajës dhe ngjarjen e kthyer tashmë në legjendë, atë të shëtitjes së kokës së tij në Lushnje. Kjo akuzë nuk u vërtetua gjatë procesit gjyqësor, duke e detyruar prokurorinë të tërhiqej nga ky episod. Viktima e dytë në listën e akuzave ishte ekzekutimi i Xhevat Demirit, në kuadër të organizatës kriminale. Për këtë ngjarje, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Aldo Baren me burgim të përjetshëm. Vrasjet e Nimet Zenelit dhe Masar Aliut i kanë kushtuar 50 vite të tjera burg, kreut të bandës së Lushnjes, e po kaq edhe dy vrasje të mbetura në tentativë. Akuzat e tjera në skedën e gjatë të kreut të bandës së Lushnjes ishin ato për krijim të organizatës kriminale, kryerjes së krimeve të kuadër të organizatës apo mbajtjes pa leje të municionit luftarak. Pasi ka lexuar një e nga një akuzat dhe krimet përkatëse, gjyqtarja Fatmira Hajdari ka shtuar: Gjykata në përfundim i jep dënimin e burgimit të përjetshëm të pandehurit Aldo Bare, i njohur ndryshe edhe si Alfred Shkurti. Gjykata ka përcaktuar një burg të sigurisë së lartë, si vendin e vuajtjes së dënimit të kreut të bandës së Lushnjes, ndërsa vuajtja e dënimit fillon që prej datës së arrestimit të tij në Turqi. Aldo Bare, i cilësuar si një prej eksponentëve më të rrezikshëm të krimit shqiptar, qëndroi për shumë vite i lirë, edhe pse çështja e tij qarkullonte prej vitesh në drejtësinë shqiptare. Ai u arrestua në vitin 2006 në Turqi, ku qëndroi për 3 vite me shpresën e një ekstradimi drejt Italisë, ku kërkohej për trafik drogë. Ai u ekstradua në Shqipëri në vitin 2009 e që prej asaj kohe ka ndjekur seancat gjyqësore, që përfunduan dje me burgim të përjetshëm.
Vendimi
Vrasje e Genc Kasharit dhe Artur Dajës 23 vjet burg
Vrasje e Xhevat Demirit, burgim i përjetshëm
Vrasje e Nimet Zenelit 25 vjet burg
Vrasje në tentativë e Gramoz Selmanit, 25 vjet burg
Vrasje në tentativë e Masar Aliut, 25 vjet burg
Vrasje e Masar Aliut, 25 vjet burg
Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve, 5 vjet burg
Shkatërrim i pronës me zjarr, 10 vjet burg
Krijim i organizatës kriminale, 8 vjet burg