160 turistë të huaj vizitojnë vlerat arkeologjike të Durrësit
Në portin e Durrësit anija turistike Arion ka sjellë dje rreth 160 turistë nga vende të ndryshme të botës, ndërsa numri i përgjithshëm i vizitorëve që kanë lundruar me të në këtë sezon drejt qytetit bregdetar arrin në afro 1.300 vetë, bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga kapiteneria e portit.
Sipas këtyre burimeve, kroçera portugeze Arion ka mbërritur në portin detar të Durrësit për të tetën herë brenda dy muajsh. Ajo kryen një itinerar turistik 1-javor në porte të ndryshme të Mesdheut dhe në bordin e saj ka kryesisht turistë francezë, ndërsa nuk mungojnë vizitorët nga SHBA, Belgjika, Anglia, Gjermania, etj. Turistët po zhvillojnë vizita disa orëshe në qendrat muzeale dhe arkeologjike të qyteteve të Durrësit, Krujës dhe Tiranës, u shprehën burimet e mësipërme, sipas të cilave, tashmë anija turistike është ankoruar në kalatën 4 të portit detar. Kroçera Arion, me një gjatësi 118 metra, që nga 6 maji i këtij viti është ankoruar rregullisht çdo të enjte në portin më të madh të vendit. Që nga fillimi i pranverës në portin e Durrësit kanë mbërritur edhe kroçera të tjera me turistë si Adriana 3, Black Jack, Panorama, etj.