E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kutitë e bllokuara të Kurbinit mollë sherri në KQZ, vendoset numërimi i tyre

Vendimi i KQZ u mor, pasi u bindën të gjitha palët  
Mbledhja e radhës së Komisionit Qendror i Zgjedhjeve u karakterizua nga debate të shumta në lidhje me numërimin ose jo të 6 kutive të votimit të bllokuara, KZAZ nr. 39 të qarkut të Lezhës. KQZ ishte në dilemë për të hartuar një vendim, i cili do të përcaktonte mënyrën  sesi do të operohet për përmbylljen e tabelës përmbledhëse të Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve nr. 39, të qarkut në fjalë. Kjo KZAZ në tabelën përmbledhëse të rezultateve, dërguar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk ka përfshirë të dhënat për 6 kuti votimi, mangësi e cila nuk parashikohet në Kodin Zgjedhor. Përfaqësuesja socialiste dhe nënkryetarja e KQZ, Dëshira Subashi, u shpreh se KQZ nuk e ka dispozitën ligjore për të kryer numërimin e kutive të bllokuara nga KZAZ, duke shtuar se ky institucion nuk është i qartë nëse do ta vazhdojë numërimin aty ku e ka ndërprerë KZAZ përkatëse, apo do të kontrollohen të gjitha kutitë nga fillimi. Sipas Subashit, kjo çështje duhet të zgjidhet duke shqyrtuar ankimimet e vëzhguesve dhe të komisionerëve sipas Kodit Zgjedhor dhe jo me ndërhyrje direkt në proces nga KQZ. Për derisa KZAZ e qarkut të Lezhës nuk ka marrë një vendim, nuk dihet sesi do të plotësohet tabela e rezultatit, theksoi Subashi. Ndërsa, përfaqësuesi demokrat në KQZ, Njazi Kosovrasti, u shpreh se çështja është shumë e thjeshtë për ta zgjidhur sipas ligjit. Sipas tij, KZAZ e qarkut të Lezhës nuk e ka kryer detyrën sipas ligjit, ndaj këtë detyrë e kryen KQZ dhe numërimi i votave fillon aty ku është bllokuar. Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Genci Gjonçaj, ishte dakord për numërimin e kutive, por i kërkoi kreut të KQZ të përgatisë infrastrukturën e nevojshme ashtu siç e parashikon ligji për ti numëruar ato. Megjithatë, pas disa mbledhjeve radhazi KQZ vendosi të numërojë edhe 6 kutitë e KZAZ në fjalë. Numërimi do të bëhet sot në orët e para të ditës. Më tej KQZ vijoi diskutimet për bllokimin e kutive të tjera të bllokuara, të cilat po mbajnë peng zyrtarizmin e rezultatit të zgjedhjeve. Por, ndërsa duket se procesit të numërimit të votave po i vjen fundi, në dy partitë e mëdha shihet tension dhe shpresë, pasi e gjithë vëmendja është përqendruar në Fier, aty ku kanë mbetur kutitë e fundit pa numëruar. Por, kutitë e votimit të KZAZ nr. 20 në Fier, ku gjatë natës duke u gdhirë dita e djeshme u krijua një situatë e tensionuar me protagonistë mbështetësit e Partisë Socialiste, u bënë gati për tu nisur drejt Tiranës me vendim të KQZ. Komisioni Qendror Zgjedhor u detyrua të mblidhet urgjentisht në orën 01. 00 të mëngjesit të djeshëm për të gjetur një zgjidhje për situatën. Me shumicë votash, anëtarët e propozuar nga PD në këtë institucion vendosën që fletët e votimit të 3 kutive të komunës Libofsh të transportoheshin drejt KQZ për tu numëruar, nën shoqërimin e forcave të policisë së shtetit. Edhe ky vendim u kundërshtua nga Subashi, që sipas saj ato kuti dhe tabela e rezultateve përfundimtare do të  vijnë në KQZ, por KQZ nuk ka tagër për ti sjellë ato, KQZ do të shikojë tabelën e rezultateve, ndërkohë nëse PS ka pakënaqësi, duhet të bëjë një kërkesë ankimore. E gjithë situata është që komisioni zonal ka kompetencën e shqyrtimit të çështjes së nxjerrjes së rezultatit, KQZ është në kundërshtim të hapur me ligjin sepse nuk mundet të marrë kompetencat e një institucioni jashtë rregullave ligjorë. Përbrenda ka dhe elementë të tjerë që bien në kundërshtim me kodin, ka dërguar administratën tonë për të bërë procedurat që ligji ia ngarkon komisionerëve dhe jo anëtarëve të KQZ. Nëse do të ketë kërkesë nga subjekte zgjedhore ligji thotë se komisioni zonal ka qenë i detyruar ti numëroj dhe ti përfshijë në rezultatin, këto kuti që komisioni zonal nuk i ka futur në procesverbalin ato duhet të ishin përshirë në rezultatin e tabelës përmbledhëse, nëse kjo nuk është përfshirë, KQZ do të marrë në shqyrtim të cilin nuk mund ta paragjykojë, u shpreh Subashi. Megjithatë, situata në Fier u qetësua pas negociatave mes përfaqësuesve të PS dhe KQZ , kutitë në fjalë mbërritën në KQZ në mbasditen e ditës së djeshme. Të dhënat nga KQZ, nxjerrin në raport të barabartë mandatesh 70-70 të majtën dhe të djathtën. Ndërkohë pritet të nisë numërimi i këtyre 3 kutive për të zbuluar nëse do të ndikojnë në ndryshimin e rezultatit. Komisionerët e Partisë Demokratike pretendonin se 3 kutitë kishin probleme teknike dhe ishin të papranueshme për një proces normal. Ky fakt irritoi kandidatët dhe përfaqësuesit e PS në këtë proces, të cilët e kontestuan këtë vendim dhe kërkuan rinumërim të kutive dhe vlerësim të rezultateve.

*******************************************************************
KQZ, numërimi i kutive në KZAZ 39 fillon sot në orën 9:00
Pas disa seancash diskutimesh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi në unanimitet që 6 kutitë e Fushë-Kuqes që i përkasin KZAZ-së 39, qarku Lezhë, do të numërohen nesër në orën 9.00 në KQZ. Sipas vendimit që u mor në KQZ, do të ngrihen dy grupe numërimi të cilat do të nisin gjatë ditës së sotme numërimin për 6 kutitë e Fushë-Kuqes, të cilat ndodhen në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Rezultatet që do të dalin nga këto kuti votimi do ti bashkëngjiten 53 kutive të tjera të qarkut të Lezhës, duke nxjerrë kështu edhe rezultatet përfundimtare dhe mandatet shoqëruese të Qarkut të Lezhës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›