E Diel, 1 Nëntor 2026

Laç, grabitet kreu i legalistëve



LAç - Grabitet me armë pronari i dyqanit të celularëve. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30 të së shtunës, pak metra larg komisariatit të Kurbinit. Mark Lleshi, i cili është edhe punonjës i policisë bashkiake në këtë qytet, por edhe kryetar i Partisë së Legalitetit, ka qenë i vetëm kur grabitësi i ka vënë pistoletën tek koka. Nën kërcënimin e armës, autori, ende i paidentifikuar, i ka kërkuar atij të dorëzonte lekët që mbante me vete. Pasi grabiti gjashtë celularë dhe 26 mijë lekë, personi të cilin Lleshi nuk kishte arritur ta identifikonte, është larguar me shpejtësi. Ngjarja ndodhi në momentin kur në rrugë nuk ka pasur lëvizje, ndërsa vëmendja ishte përqendruar në njërën nga ndeshjet e Botërorit. Pak minuta më pas, Lleshi i është drejtuar komisariatit që ndodhej rreth 400 metra larg. Ai kreu denoncimin, ndërsa pohoi se nuk kishte arritur ta njihte grabitësin. Policia e Kurbinit ka kryer edhe ekspertizën e vendit të ngjarjes dhe sipas burimeve, ata janë drejt zbulimit të autorit të grabitjes. r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›