E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet kancelari i gjykatës



KORçE/ GEZIM ASHIMI

Dy titullarë institucionesh që kanë të bëjnë me drejtësinë u arrestuan dje në Korçë për korrupsion. Shkëlqim Kajmaku, 52 vjeç, me detyrë kancelar i Gjykatës së Faktit në Korçë, njëkohësisht nënkryetar i Këshillit Bashkiak dhe Arben Hoxha, 51 vjeç, shef personeli në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë dhe njëherazi kryetar i Ballit Kombëtar, u prangosën pas një operacioni të koduar “Kancelari”. Sipas policisë, dy zyrtarët u arrestuan për veprën penale të “korrupsionit pasiv nga punonjës që ushtrojnë funksione publike” në bashkëpunim. Ndalimi i dy zyrtarëve u krye në flagrancë, pas një kohe të gjatë hetimesh dhe përgjimesh, që kanë sjellë prova për arrestimin e tyre. Sipas hetimeve të para, kancelari Kajmaku dhe shefi i personelit në burgun e sigurisë së lartë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë ryshfet 500 mijë lekë për të favorizuar një qytetar korçar. Ata i kanë kërkuar shtetasit K.Kafexhiu shumën e mësipërme për ta ndihmuar në nxjerrjen e një vendimi gjyqësor, që do ta lehtësonte atë me veprime në zyrën e Përmbarimit në Korçë. Sipas policisë, Kafexhiu nuk ka qenë i rrezikuar me burg, që mund ta shtynte atë të kërkonte një nder me pagesë nga kancelari. Mësohet se Kafexhiu ka qenë i dënuar më parë, rreth viteve ’90-të dhe nuk ka pasur probleme më pas me drejtësinë. Favori që ai ka kërkuar kundrejt një shpërblimi prej 500 mijë lekë nga dy zyrtarët, lidhej me një çështje me interes ekonomik. Para pak kohësh, Kafexhiu mësohet se ka dhënë borxh me anë të një kontrate shumën prej 30 milionë lekësh të reja. Por, personi të cilit ai i ka dhënë këtë shumë nuk i është përgjigjur në kohë shlyerjes së detyrimit. Pavarësisht se ai ka konsumuar edhe forma ligjore për të marrë paratë që kishte dhënë borxh, nuk ia ka arritur. Për këtë qytetari ka kërkuar ta zgjidhë çështjen në një formë tjetër, duke kërkuar ndihmën e një të njohuri të tij, që në këtë rast ishte shefi i personelit të burgut. Sipas të dhënave, Arben Hoxha ka luajtur rolin e sekserit midis Kafexhiut dhe kancelarit të gjykatës. Ai mësohet t’i ketë kërkuar 500 mijë lekë Kafexhiut që të sigurojë në gjykatë një vendim, sipas të cilit, Zyra e Përmbarimit të vendoste të ngrinte pasurinë e personit që kishte marrë 30 milionë lekë borxh dhe nuk i kthente ato. Me anë të këtij vendimi, borxhdhënësi vinte në lëvizje Zyrën e Përmbarimit që të vendoste sekuestro mbi pasurinë e personit, të cilit ai nuk po mundte që t’i merrte borxhin. Policia bëri të ditur se kishte pasur prej kohësh sinjalizime për abuzim nga ana e dy zyrtarëve lidhur me këtë bashkëpunim të tyre në korrupsion. Me anë të teknikës së saj përgjuese ka ndjekur lëvizjet dhe veprimet e tyre. Edhe arrestimi në flagrancë u krye duke siguruar si prova shumën e lekëve të ryshfetit, si dhe dokumentet që do të përgatiteshin në lehtësimin e pozitave të Kafexhiut.

Të arrestuarit, krerë të Partisë së Ballit
Viktima e ryshfetit ka synuar të zgjidhë problemin e tij nëpërmjet shefit të personelit në burgun e sigurisë së lartë falë njohjes së afërt që Hoxha ka me kancelarin e gjykatës. Mësohet se Arben Hoxha është kryetar i partisë Balli Kombëtar në Korçë, ndërsa Shkëlqim Kajmaku është sekretar i kësaj partie dhe njëkohësisht edhe nënkryetar i këshillit bashkiak të qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›