Gjirokastër, var veten në hyrje të kompleksit tregtar pronarja
GJIROKASTER - Një grua është vetëvarur me litar në kushtet e depresionit psikik. Katerina Qifti, 43 vjeçe nga Gjirokastra, është gjetur në gjendje shumë të rëndë shëndetësore në orët e mesditës së të dielës në pronën e saj, në afërsi të tregut të qytetit. Pastruesja e kompleksit të treg-shitjes, e cila është pronë e burrit të viktimës, ka gjetur pa ndjenja gruan 43-vjeçare. Menjëherë është lajmëruar autoambulanca, e cila ka mbërritur në vendngjarje duke bërë të mundur transportimin e gruas drejt spitalit. Qifti është mbajtur në repartin e Reanimacionit ku mjekët e kanë trajtuar dhe mbajtur nën një vëzhgim të rreptë. Në orët e vona të pasdites, burimet nga Spitali i Gjirokastrës kanë konfirmuar për gazetën “Panorama” vdekjen e pronares së kompleksit të treg-shitjes në qytetin e Gjirokastrës. Sipas dëshmitarëve okularë në vendngjarje, gruaja kishte marrë litarin me vete, të cilën pasi e kishte varur në portën hyrëse të kompleksit tregtar dhe më pas është vetëflijuar. Dy fëmijë të viktimës ndodheshin në emigracion, ndërsa ajo me të shoqin merreshin me kompleksin, duke lëshuar ambiente me qira për tregtarët e qytetit. Rasti i djeshëm është i dyti brenda tre javësh që ndodh në qytetin e Gjirokastrës pas vetëvarjes së një gruaje 58-vjeçare nga lagjja “Manalat”. p.n