174 lekë në muaj kompensim për energjinë
Qeveria vendos të kompensojë energjinë për punonjësit buxhetorë. Njëqind mijë vetë do të përfitojnë
Qeveria shqiptare vendosi dje të shpërndajë një fond prej 110 milionë lekësh, (rreth 900 mijë euro) për kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë për punonjësit e administratës publike. Fondi do t’i shpërndahet të gjitha ministrive, ku Ministria e Arsimit do të tërheqë më shumë se 65% të totalit. Sipas ministrit të Çështjeve Sociale, Panajot Barka, të gjithë buxhetorët me paga nën 35 mijë lekë do të përfitojnë kompensimin.
Në Shqipëri rreth 106 mijë vetë punojnë në sektorin publik. Në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, ata do të përfitojnë mesatarisht 1 mijë lekë të rinj si kompensim, ose rreth 174 lekë në muaj. Konsumi mesatar mujor i energjisë elektrike për familjet shqiptare qe 200 kWh gjatë vitit të kaluar. Tarifa e energjisë elektrike u rrit me 15% në fillim të këtij viti, ndërsa tarifa prej 174 lekësh kompensim mbulon vetëm gjysmën e rritjes së çmimit, ose 8%. Me shumën e kompensuar, punonjësit buxhetorë pritet të paguajnë rreth 18 kilovat energji elektrike të konsumuar në muaj.
Qeveria shqiptare ka marrë përsipër të kompensojë rreth 192 mijë familje të varfra për rritjen e çmimit të dritave me një kuotë mujore kompensimi nga 500 në 1 mijë lekë. Fondi total i nevojshëm për procesin e kompensimit për këtë vit është përcaktuar në masën 1.4 miliardë lekë, sipas të dhënave të buxhetit të shtetit, me një mesatare prej 600 lekësh në muaj. Ky fond kompensimi mbulon nga një e katërta deri në gjysmën e faturës së dritave për këto familje. Çmimi i energjisë elektrike duhet të vijojë të rritet deri në vitin 2011, kur do të arrijë në 13 lekë për kWh nga 8.1 lekë që është aktualisht. Por nga eksperienca e deritanishme, çmimi i dritave nuk është rritur në periudha parazgjedhore dhe ka gjasa që të mos rritet më tej deri në fund të vitit 2009. Rezistenca e qeverisë ndaj këshillave të ndërkombëtarëve për rritje të çmimit të dritave ka shkaktuar shpesh kriza të forta energjetike në vend.