Kriza, kreditë e këqija kërcyen në mars
Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, u rritën kreditë me probleme dhe u ulën fitimet
Kreditorët që u vunë në ndjekje nga bankat gjatë tremujorit të parë të këtij viti u rritën me 25.2%, një ritëm dy herë më i lartë sesa rritja e regjistruar gjatë vitit të kaluar, njoftoi dje Banka e Shqipërisë në raportin mbi gjendjen e sistemit bankar. Raporti i djeshëm është më negativi në shumë vite. Përveç rritjes së shpejtë të kredive të këqija, BSH raportoi një ritëm më të ulët rritjeje të aseteve të sistemit bankar, si dhe një zvogëlim të fitimeve, performancë më e keqe ekonomike etj. Tremujori i parë paraqet vështirësi ekonomike, gjë që vërehet edhe te depozitat, të cilat si rrallëherë nuk pësuan rritje. Në mars, depozitat e shqiptarëve në banka pësuan rënie të konsiderueshme kundrejt prillit. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit, i cili mat shëndetin e bankave, u përkeqësua gjatë tremujorit.
Kreditë e këqija
Totali i kredive me probleme arriti në 256.9 milionë euro, rreth 67 milionë euro më shumë se në dhjetor. Banka e Shqipërisë përdor disa kritere për vlerësimin e kredive me probleme. Nga totali, numri i kredive të vëna nën ndjekje zuri pjesën më të madhe. Gjithnjë e më shumë kompani dhe individë deklarojnë se nuk mund të shlyejnë më këstin mujor të kredisë si pasojë e vështirësive ekonomike të shkaktuar nga rritja e taksave dhe rritja e çmimeve. Kjo është hera e parë pas pastrimit të sistemit bankar nga kreditë e këqija të akumuluara gjatë periudhës ’92-‘98, që kredia me probleme kapërcen nivelin prej 10% të totalit të kredive.
Reagimi i bankave
Sipas raportit, gjatë tremujorit të parë, bankat shtuan sasinë e kredisë në valutë, një tregues ky që flet për rënie të besimit te monedha kombëtare. Prej vitesh, bankat këmbëngulën të shtonin portofolin e kredive në lekë, por tani tendenca ka ndryshuar. Lloji i dytë i reagimit u shfaq me shtimin e kredisë për individët shumë më tepër sesa kredia për biznesin. Nga eksperienca e deritanishme, individët kanë një normë moskthimi kredie shumë më të ulët sesa kompanitë. Deri në mars, 9.33% e kredive për individët rezultoi me probleme, ndërsa në kreditë për biznesin, 10.8% qenë me probleme.
Ulen fitimet
Fitimet e sistemit bankar pësuan ulje kryesisht si pasojë e rritjes së kredive të këqija dhe uljes së ritmit të kredive të reja. Gjatë tremujorit të parë, fitimet në raport me asetet (RoA) qenë vetëm 1.3%, nga 1.6% që qe në fund të vitit 2007.